Në një kohë kur Anna Nordstrom, vajza e biznesmenit të ndjerë Vebi Veliaj, ka fituar dëshminë e trashëgimisë në gjykatën e Tiranës, dhe gjyqi i saj po zvaritet në Apel, kjo shtetase suedeze, ka çuar në “Vetting” 20 gjyqtarë dhe mbi 10 prokurorë, përfshirë dhe Adriatik Llallën.
Të gjitha ankesat e saj dhe kërkesa për të verifikuar pastërtinë e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve i janë përcjellë pak ditë më parë kryetares së Komisionit të Kualifikuar të Kualifikimit Genta Tafa (Bungo).
Njëherësh ankesa i është përcjellë nga shtetësja Suedeze edhe kryetares së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit Genoveva Ruiz Calavera.
“Po ju drejtohemi juve me këtë ankim për një çështje civile me objekt “Padi trashëgimie” e cila zvarritet me dashje nga ana e gjyqtarëve në bashkëpunim me prokurorët që nuk i hetojnë për arsye korruptive të dukshme.
Është situatë alarmante!Unë qytetarja Suedeze Anna Vebi Nordstrom duhet të sorollatem 8 vite për një “Dëshmi Trashëgimie”, të babait tim dhe e kam të pamundur që të ketë një vendim gjyqësor për këtë çështje”-shkruan Nordstrom në ankesën e saj.
Më tej ankuesja parashtron duke pohuar: “…kam paraqitur këtë ankim përpara jush, pasi mendoj se është momenti që të bëhet vlerësimi për të gjithë ata pseudo gjyqtarë dhe prokurorë të cilët kanë zvarritur një proces i cili për nga kompleksiteti, rrethanat dhe kërkimi i paraqitur është nga më modestët në gjykim. E them me bindje se është e vetmja çështje në Republikën e Shqipërisë e cila ka kaluar nga 2 herë të gjitha shkallët e gjykimit”.
Kallëzimi në prokurori
Pak kohë më parë, vajza e biznesmenit të ndjerë Vehbi Veliaj, ka kallëzuar penalisht në prokurori 15 gjyqtarë dhe 7 prokurorë, duke i akuzuar ata si personat përgjegjës, të cilët duke “Shpërdoruar detyrën”, kanë penguar dhe zvaritur në mënyrë të qëllimshme proceset ligjore që ajo ka marrë për të fituar “Dëshminë e trashëgimisë” në masën ½ të babait të saj.
Kallëzimi i shtetases suedeze i është dërguar drejtpërdrejt kryeprokurores së re Arta Marku, të cilën Anna Nordstrom e ve në dijeni për këtë çështje, njëkohësisht me drejtuesen e ONM-së Ginovefa Calavera, drejtuesen e Komisionit të “Vettingut” Genta Bungo dhe dy amabasadorë të huaj në Tiranë: Donald Lu dhe Romana Vlahutin.
Sipas kallëzimit, që Shqiptarja.com e disponon të plotë, mes personave të kallëzuar është dhe vëllai nga babai i Nordstrim, shtetasi Ferik Veliaj, ish-ministri i Drejtësisë Eduart Halimi, ish-drejtorin e antikorrupsionit Ivi Kaso.
Po ashtu mësohet se mes gjyqtarëve të kallëzuar në prokurori, janë Shkëlqim Miri, i arrestuar për korrupsion, Agim Bendo, Elona Muça etj, ndërsa mes prokurorëve janë Sokol Malaj, Besim Hajdërmataj, Enkeleda Millonaj, Daniela Sula etj. Nordstrom kërkon nga prokuroria që ndaj këtyre njerëzve të drejtësisë të nisë hetim penal dhe disiplinor.
Fitimi i gjyqit e zvaritja në apel
Në 27 mars të këtij viti gjyqtari Artan Lazaj i Gjykatës së Tiranës ka vendosur të njohë Anna Nordstrom si vajzën e biznesmenit Vehbi Veliaj, i cili ka ndërruar jetë pak vite më parë.
Nordstrom, që pretendon se është vajza ilegale e biznesmenit të njohur Vehbi Veliaj, ka mundur të fitojë gjyqin për njohjen e atësisë dhe futjen si trashëgimtare në pjesën 1/2.
Përgjatë 7 viteve këtë çështje e kanë shqyrtuan 45 gjyqtare të ndryshëm të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, Apelit dhe Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë.
Pas shumë seancash gjyqësore, Nordstrom ka arritur të fitojë në shkallën e parë gjyqin kundër shtetasit Ferik Veliaj, i cili është djali i ligjshëm i biznesmenit Vehbi Veliaj.
Suedezja Anna Nordstrom pretendon se ka ardhur në jetë nga një lidhje jashtëmartesore e biznesmenit dhe prej tij i është njohur atësia. Pas vdekjes së Veliajt, në vitin 2011, Nordstrom depozitoi një padi në Gjykatën e Tiranës kundër djalit të biznesmenit Veliaj, Ferik Veliaj. Përmes kësaj padie, ajo kërkon të njihej si trashëgimtare e biznesmenit Vehbi Veliaj, si edhe të njihej si bashkëpronare në një të dytën e pasurisë së lënë trashëgim prej tij.
Në atë kohë, pas shumë seancash gjyqësore, “Gjykata e gjeti kërkimin e padisë për detyrimin e të paditurit Ferik Velija që të njohë paditësen Anna Nordstrom si trashëgimtare ligjore të Vehbi Velisë të drejtë”-thuhet në vendim.
Por ky i fundit i është drejtuar Gjykatës së Apelit Tiranë, ky gjyqtarja Elona Stavri, sipas kallëzimit penal, po e shtyn në mënyrë të qëllimshme dhe zvarit me vendime të ndërmjetme procesin gjyqësor. Pavarësisht kësaj, Nordstrom i është drejtuar tashmë me një ankim vendimit të ndërmjetëm të Gjykatës së Apelit, me qëllim rrëzimin e tij.
Ankesa për Gjyqtarët
ELONA TORO (STAVRI),
MARIE QIRJAZI
ILIR ÇELIKU
BLERINA MUÇA
ARBEN MULLAI
REZARTA VIGANI (BALLIU)
TEUTA HOXHA
KRESHNIK OMARI
REGLETA PANAJOTI
ANILA KRISTANI
AGIM BENDO
MANJOLA BEJLERI
ELBANA LLURI
ALAUDIN MALAJ
FATOS QATO
SHKËLQIM MIRI
ARTAN BROCI
XHEZAIR ZAGANJOR
Ankesa për prokurorët
ADRIATIK LLALLA
SOKOL STOJANI
SOKOL MALAJ
PETRIT FUSHA
DANIELA SULA
ENKELEDA MILLONAI