Në përfundim të takimit midis ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë në Korçë u përfol se marrëveshjet e dakordësuara do të ishin pjesë e axhendës së një takimi të mundshëm Rama-Tsipras në prill.
Por ballafaqimi Tsipras-Rama duket se do të jetë më i hershëm, pasi dy kryeministrat do të takohen gjatë punimeve të samitit ekonomik të Davosit në Zvicër.
Kryeministri grek Alexis Tsipras do të jetë në Davos, Zvicër, të martën më 23 janar për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, njofton faqja zyrtare e Kryeministrisë greke.
Lajmi e ka konfirmuar edhe ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, gjatë një deklarate për mediat nga Brukseli.
Kotzias tha se në këtë takim ata do të çertifikojnë rezultatet e bisedimeve të Korçës, ku të dy palët ranë dakord për zgjidhjen e disa mosmarrëveshje dhe problemeve që kanë zgjatur për 70 vite. (M.Q/Faxweb)