Studentët e Fakultetit të Drejtësisë kanë nisur sot një marshim të heshtur për të kujtuyar mikeshën e tyre, Ariela Murati që humbi jetën para dy ditësh në kryeqytet.
Me kurora me lule dhe me qirinj, ata nuk e kanë fshehur dhimbjen e ngjarjes së rëndë.
“Boll më makabritetit të të rinjve. Rasti i Arielës ishte shumë e fortë për të gjithë, ka qenë një studente e shkëlqyer, kam qenë edhe pedagogia udhëheqëse e temës së saj të diplomës. Diplomë të cilën nuk arriti që ta mbyllte”, u shpreh shefja e departamentit të Fakultetit të Drejtësisë.
‘’Po përcjellim mikeshën tonë, është humbje e madhe jo vetëm për familjen, për miqtë, po humbje dhe për vendin, pasi ajo ishte një vajzë që mund të bëhej prokurore apo një gjyqtare shumë e zonja.
Ne zgjodhëm që sot të bëjmë homazhe në vendin ku ajo dha frymën e fundit, ajo do të jetë me ne, pasi shpirti i saj do të jetë në seminare e leksione.
Le të sensibilizohemi dhe ti themi njëri-tjetrit se jeta është shume e bukur. Do të kujdesemi ne miqtë e saj që drejtësia të vendoset në vend për personin që mori jetën e saj.
Shpresojmë që kujtimi i saj të mbetet, dhe ajo të jetë ylli më i bukur në qiell”, u shpreh një nga shoqet e klasës së Arielës.
(E.K/FAXWEB)