Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku ka zhvilluar një takim me prokurorët dhe drejtorët ditën e sotme.
Mësohet se Marku iu ka paraqitur ndryshimet në strukturën e Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas saj ndryshimet janë bërë në përputhje me paketën e Reformës në Drejtësi.
Sipas prokurorisë, ndryshimet janë bërë mbështetur në rregullimin e veprimtarisë së prokurorisë nga kjo reformë, sipas dispozitave kalimtare të Ligjit 97/ 2016 “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”.
“Angazhimi tërësor dha sukses, kryesisht në ngritjen në rang drejtorie të Ndihmës për Subjektet e Posaçme, Mbrojtjes së Dëshmitarëve, Inspektimit, Studimeve dhe Projekteve.
Në këtë drejtori, sektori i hetimit disiplinor, krijohet pas thuajse një viti si risi dhe në përputhje me kërkesën e posaçme të dispozitave kalimtare të Ligjit 97/ 2016, neni 160, pika 5”.
Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku theksoi se kjo drejtori, do të ofrojë kapacitetet më të mira në funksion të hulumtimit të problematikave gjatë zbatimit të ligjit në prokuroritë e juridiksionit të zakonshëm.
Kjo drejtori do të reflektojë gjithashtu udhëzimet me karakter të përgjithshëm të Kryeprokurorit, elaborimin e fushave ku mund të ndërtohen projekte të së ardhmes së prokurorisë, në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të burimeve të prokurorisë.
Ndryshimet në strukturën e re të Prokurorisë së Përgjithshme:
1-Drejtoria Gjyqësore;
2-Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë dhe Verifikimit të Integritetit të Personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike;
3-Drejtoria e Përgjimeve të Telekomunikimit dhe Marrëdhënieve me Shërbimet Informative;
4-Drejtoria e Ndihmës për Subjektet e Posaçme, Mbrojtjes së Dëshmitarëve, Inspektimit, Studimeve dhe Projekteve;
5-Drejtoria e Teknologjisë, Informacionit dhe Ekspertizës Kibernetike.
6-Drejtoria e Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse.
Në mbledhje u prezantua edhe Kabineti i Prokurorit të Përgjithshëm.
“Trupa e prokurorëve ndodhet përpara procesit historik të rivlerësimit për vetë prokurorët dhe tërë sistemin e drejtësisë. Mbështetje të vendosur për çdo prokuror për të vazhduar me përkushtim ushtrimin e funksioneve, që procesin e rivlerësimit ta shohin jo si ndëshkim, por si mundësi për dinjitet, reputacion për vete dhe institucionin. Ky proces është i domosdoshëm për të përmirësuar problematikat e të shkuarës dhe për të vazhduar me forcë përpara në shërbim të interesave madhore të përbashkëta” – tha Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku.
Bashkarisht, Marku çmoi me bindje mundësimin e përparimit të vazhdueshëm të prokurorisë në garantim të zbatimit të ligjit dhe përmbushjen e misionit të saj kushtetues. (J.V/Faxweb)