Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar në Davos të Zvicrës një takim me homologun e Kroacisë, Andrej Plenkovic, me të cilin bisedoi rreth marrëdhënieve mes dy vendeve. Kryeministri kroat e siguroi Ramën për mbështetjen e vendit të tij për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Por ndër të tjera Rama ka folur me kryeminisitrin kroat në lidhje me çështjen e Ballist Morinës, për të cilin kreu i ekzekutivit shqiptar kërkoi një vendimmarrje të drejtë dhe të ndershme nga ana e autoriteteve kroate.
Kryeministri Plenkovic e siguroi zotin Rama se rasti i Ballist Morinës do të trajtohet me kujdesin maksimal dhe në respekt të legjislacionit dhe konventave ndërkombëtare.
Rama u takua gjatë forumit ekonomik të Davosit edhe me kryeministrin hollandez, Mark Rutte, me të cilin bisedoi mbi ecurinë e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian dhe rëndësinë strategjike të çeljes së negociatave për anëtarësim, jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë rajonin. (J.V/Faxweb)