Prej disa ditësh në tabloidet amerikane dhe jo vetëm është përhapur lajmi se ka një krisje në raportin mes çiftit presidencial Trump.
Madje u tha se Melania ishte larguar nga shtëpia e saj. Mirëpo dje gjithçka ka marrë fund pasi Melani është parë në Shtëpinë e Bardhë.
Lajmet për një ndarje të mundshme të çiftit presidencial u përhapën pas mungesës së Melania në krah të Donald Trump në forumin ekonomik në Davos.
Fillimisht ishte paralajmëruar pjesëmarrja e saj, por ajo nuk udhëtoi fare drejt Zvicrës. Megjithatë në mediat amerikane u raportua se Melania nuk qëndroi as në Shtëpinë e Bardhë.
U tha se për disa ditë, Zonja e Parë qëndroi në një hotel në Uashington dhe më pas udhëtoi drejt resortit familjar në Mar-a-Lago në Florida.
Thuhet se shkak i kësaj është bërë rrëfimi i pornostares Stormy Daniel, e cila disa ditë më parë foli për disa takime “të nxehta” me Donald Trump në të shkuarën.
Vetë zëdhënësja e Melania Trump përgënjeshtroi të gjithë këto raportime në media dhe tha se ajo ndodhet në krye të detyrës si Zonja e Parë e SHBA. ‘’Zonja e parë është e fokusuar te roli i saj në familje, dhe jo te lajmet e rremë që përhapen”, shkruhej mes të tjerash në reagim.
Më pas në ‘’Twitter” është postuar një video ndërsa Melani Trump viziton muzeun e viktimave të Holokaustit.
(E.K/FAXWEB)