Kreu i qeverisë Edi Rama ka mbledhur grupin parlamentar të PS-së, ku ka zbardhur dhe temat e takimeve të mbajtura në Davos.
Sipas tij Shqipëria është shumë pranë çeljes së negociatave, dhe se në BE janë shumë të qartë se askush nuk do mund që ta pengojë zbatimin e Reformës në Drejtësi.
Më tej Rama u shpreh se ata që pretendojnë se mazhoranca po kap drejtësinë flasin dokrra, ndërsa theksoi se axhenda e opozitës është e qartë se kërkon të bllokojë reformën.
FJALA E EDI RAMËS;
Në të gjitha takimet që kemi pasur është e qartë se ka një vullnet pozitiv për hapjen e negociatave me BE-në. Reforma në Drejtësi është një proces që nuk ka shans të bllokohet, është një bazë për marrjen e një rekomandimi të qartë dhe miratimin për çeljen e negociatave.
Qartësia e krijuar lidhur me pamundësinë e bllokimit politik të Reformës në Drejtësi, të Vetingut, e konsoliduar me zgjedhjen e prokurores së përgjithshme dhe krijimin e KLGJ-së dhe KLP-së, përbëjnë një arsye shumë të fortë për BE-në për ta parë me optimizëm fillimin e procesit historik të negociatave.
Kjo na vendos në një pozicion të favorshëm, pasi në momentet që flasim Shqipëria i ka kryer me përpikmëri detyrat e shtëpisë.
I gjithë procesi vazhdon ditë për ditë, rezultati spektakolar në luftën kundër kanabisit, dhe të gjitha hapat që vazhdojnë të hidhen me përpikmëri, përbëjnë dhe një arsye të fortë për të ndarë me opinionin publik, se fantazitë e ushqyera nga frika të një spektri të politikës, dhe medemek propaganda për kapjen e sistemit të drejtësisë, janë dokrra.
Janë dokrra pasi askush dhe aq më pak BE dhe SHBA, nuk do të lejonin përpjekjet për kapjen e sistemit të drejtësisë. Opozita ka gjithë të drejtën e vetë për të pasur një kalendar të sajin, që nuk përputhet me ne për hapjen e negociatave, ne kemi detyrimin për të vazhduar dhe për të krijuar kushtet për hapjen e mundësive të dialogut me opozitën.
Nëse në temën e drejtësisë, opozita mban këtë qëndrim, kjo është një përgjegjësi e saj. Shpresoj që të paktën sa i përket Reformës Zgjedhore të ketë një urgjencë nga ana e saj për të mos i lënë gjërat për në momentin e fundit.
Dua po ashtu të vë në dukje se jemi në një moment jashtëzakonisht pozitiv në dialogun tonë me Greqinë.
Siç e shprehu publikisht kryeministri grek, pajtohem me të se nënshkrimi i një marrëveshje është shumë afër.
Duhet të presim marrëveshjen e shkruar të kësaj serie dialogu, duke filluar që te ligji absurd i luftës, deri te marrëveshja për kufirin detar, apo garantimi i të gjithë qytetarëve shqiptar, sidomos atyre që i përkasin komunitetit çam, për të pasur lëvizje të lirë e të pandikuar nga e shkuara, dhe për të pasur një akses ligjor për pretendimet e tyre në lidhje me të drejtën e pronësisë.
(E.K/FAXWEB)