Në lidhje me atentatin e djeshëm në zonën e Morgut në kryeqytet, ku mbeti i vrarë 41-vjeçari Devi Kasmi kanë dalë detaje të reja. Sipas burimeve të policisë për ‘’Fax News’ është identifikuar dhe i dyshuari kryesor për ngjarjen.
Ai nuk është një emër i panjohur, Domart Konjari. Konjari është i njohur për trafik ndërkombëtar të drogës, ndërsa dyshohet se ka porositur dhe vrasjen e Kasmit.
‘’Lidhja” mes tyre ka qenë fakti se dyshohet se Kasmi më herët ka tentuar të vrasë Domart Konjarin në Spanjë. Konjari u plagos me 5 plumba por mbijetoi.
Dyshimet janë se konflikti mes tyre ka nisur për shkak të prishjeve të pazareve të drogës. Kasmi mbahej nën vëzhgim nga ana e ekzekutorëve. Gjatë kontrollit në banesë Kasmit i janë gjetur 300 gramë kokainë. Po ashtu në banesë i janë gjetur edhe një armë automatike me silenciator.
Domart Kojnari, i dënuar në Francë me 10 vjet burg dhe i liruar në Shqipëri për shkelje procedurale, dyshohet se është i përfshirë në 8 vrasje në Shqipëri dhe Francë.
Në dosjen që në vitin 2016 autoritetet franceze i kanë sjelle prokurorisë për Krime të Rënda, renditet me detaje e gjithë veprimtaria kriminale e Konjarit në Shqipëri, Francë, Holandë, Belgjikë, Spanjë, Itali dhe Gjermani.
Konjari dyshohet se drejtonte rrjetin e trafikut të kokainës, pasi mendohet se ka lidhje direkte me burimin e prodhimit të saj në Amerikën e Jugut. Si pasojë e këtij rrjeti, influencës në treg dhe shpërndarjes së drogës në Evropë, hetuesit francezë thonë se kanë ndodhur edhe disa vrasje, ku në dy raste 42-vjeçari Konjari i ka shpëtuar atentateve me armë.
(E.K/FAXWEB)