Ish-kryeministri Berisha është shprehur se liderët e opozitës duhet të lexojnë mesazhet e protestës së 27 janarit. Ai tha se kishte dy mesazhe. Sipas Berishës njëri grup i protestës ishte për ta rrëzuar Edi Ramën nga pushteti, ndërsa një grup tjetër për protestë paqësore.
Berisha tha në emisionin “Byro Politike” se rruga e vetme për të rrëzuar Ramën është protesta e vazhdueshme, sipas Berishës protesta korri një sukses spektakolar.
“Tani mbetet rruga, protesta e qytetarëve e mbyll Edi Ramën në bunker, ata po përgatiten, patën një sukses spektakolar dhe protesta duhet lexuar mirë dhe duhet që të lexohet mesazhi I disa grupeve , njëri ishte për ta fshirë Edi Ramën, njëri për protestë paqësore. Opozita duhet të përshtatet në formë, por do duhet të jetë një protestë e qëndrueshme”, tha Berisha.
I pyetur nëse protesta do të përfundonte në një marrëveshje me Ramën Berisha u shpreh se nuk do të ndodhë një gjë e tillë.
“Nuk ka marrëveshje, marrëveshja është rrëzimi i Edi Ramës.”, tha ai, më pas shtoi se nëse vetëm tre javë pushtohet sheshi Rama ikën nga pushteti.
“Po të pushtohet sheshi për tre javë Rama ikën natën”, tha ai. (B.H/Faxweb)