Në prangat e policisë ka rënë sërish Fatjon Bono, 27 vjeç. Ai është arrestuar nga policia pasi është kapur me armë tip pistoletë.
Fatjon Bono është një emër i njohur për policinë pasi ai njihet si pjesë e grupit kriminal të Gjin Nikës i cili është vrarë dy vite më parë.
Rreth 3 vite më parë ai është arrestuar nga policia pasi u akuzua për plagosje të rëndë me dashje, armëmbajtje pa leje dhe kanosje. Bono njihet nga të gjithë si person me rrezikshmëri të lartë. Po këshu ai është akuzuar edhe për lidhje me grupin terrorist ISIS. Për këtë akuzë ai u arrestua nga policia dy vite më parë.
Në vitin 2016 ka grabitur dhe ka rrëmbyer për dy orë një person nën kërcënimin e armës. Sipas policisë Fation Bono përdori dhunë fizike dhe e kërcënoi me armë qytetarin duke i marrë rreth 15 m dru zjarri nga banesa e tij dhe më pas e ka mbajti atë të izoluar rreth 2 orë në vendin e quajtur “Gurore” mbi fshatin Vërdovë.
DETAJE:
Qarkullonte në qytet me armë zjarri pa leje. Kapet dhe arrestohet në flagrancë nga Policia. Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit : Fatjon Bono, 27 vjeç, banues në fshatin Vërdovë- Pogradec (me precedentë të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër personit).
Arrestimi i tij u bë pasi nga informacione të siguruara në rrugë operative, falë veprimeve të mirëkoordinuara, si edhe gjatë kontrollit trupor që shërbimet e Policisë kanë ushtruar ndaj këtij shtetasi në një lokal në lagjen nr 1 në Pogradec, iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale : 1 armë zjarri pistoletë tip TT me 1 krëhër me 6 copë fishekë, të cilat i posedonte pa lejen e organeve përkatëse. Gjithashtu shtetasi i mësipërm, dyshohet të jetë autor i ngjarjes së ndodhur më datë 29.01.2018, në fshatin Vërdovë-Pogradec, ku është qëlluar në ajër, me armë zjarri.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” parashikuar nga neni 278 të Kodit Penal. (J.V/Faxweb)