Kryeprokurorja Arta Marku në analizen e Prokurorisë në Vlorë është shprehur se Vlora është një qark problematik në lidhje me trafikimin e drogës dhe fallsifikimin e dokumenteve.
“Vlora, tashmë prej kohësh, njihet si një vend prodhues i kanabisit, jo aq i drogave të tjera sintetike, por edhe si një vend i rëndësishëm tranziti për në vendet e Europës, specifikisht favorizuar nga linja e gjatë bregdetare. Duhet forcim i bashkëpunimit mes policisë, autoriteteve policore kufitare dhe autoriteteve doganore, me qëllim frenimin e trafikimit, identifikimin, gjetjen dhe vënien para drejtësisë të shkelësve të ligjit. Duhet koordinim i veprimeve mes të gjithë aktorëve në luftën kundër narkotikëve dhe shkëmbim i informacionit në kohën e duhur, me shpejtësinë dhe cilësinë e duhur mes tyre.
Duhet mosngutje në përfundimin e operacioneve të organizuara në luftën kundër drogës, duke vënë në pranga shpesh vetëm konsumatorët, shpërndarësit e vegjël, korrierët apo mjetet e transportit, por bërja e përpjekjeve dhe shfrytëzimi i çdo metode të mundshme ligjore hetimi dhe shfrytëzimi i bashkëpunimit ndërkufitar dhe ndërkombëtar, për të mundësuar identifikimin, kapjen me qëllim vënien para drejtësisë të organizatorëve të grupeve kriminale. Veprimtaria kriminale në fushën e narkotikëve nuk zhvillohet e vetme, pa mundësinë e korruptimit edhe të zyrtarëve publikë, në hallka kyçe të strukturave të shtetit. Kjo, duke nisur që nga përfaqësuesit e pushtetit vendor që emetojnë të sinjalizojnë kur konstatojnë mbjelljen e bimëve narkotike në territorin e njësisë administrative ashtu edhe të funksionarëve të tjerë, që mund të ofrojnë kundrejt korrupsionit, ndihmën e tyre në hallkat që përbëjnë zinxhirin e trafikimit të lëndëve narkotike.”, është shprehur Arta Marku.
Më tej ajo ka shtuar se duhet një hetim për të gjithë ata zyrtarë që bashkëpunojnë me trafinatët e drogës.
“Zhvillim të hetimit duke nisur nga identifikimi i pasurisë në drejtim të gjetjes së burimit, veprimtarisë kriminale. Sekuestrim dhe konfiskim i të mirave të personave të përfshirë në aktivitete kriminale që kanë të bëjnë me prodhimin, shitjen dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Përqendrim i burimeve njerëzore dhe teknike, specializim i tyre, përkushtim në kryerjen e detyrës, në luftë kundër narkotikëve, specifikisht në vende kufitare siç është Vlora.
Vlora karakterizohet nga falsifikimi masiv i dokumentave, për vetë pozicionin gjeografik dhe interesin e madh të tokave me destinacion turistik, me qëllim shtënien në dorë të pasurive që i përkisnin shtetit apo të tretëve. Kjo bëhet evidente edhe ne sekuestrimet e vendosura mbi pasuri të ndryshme të paluajtshme dhe të luajtshme.
Të verifikohen dhe hetohen deri në origjinë, transaksionet e kryera mbi pronat. Të zbatohen edhe në këtë drejtim sekuestrimet dhe konfiskimet përkatëse, me qëllim parandalimin e transferimit të pronave apo të të mirave të tjera të përftuara. Me ndryshimet e reja, në rastet e pafajsisë, Gjykata e Apelit nuk mund të deklarojë fajtor një person kur Shkalla e Parë e ka deklaruar të pafajshëm vetëm mbi bazën e vlerësimit të ndryshëm të provave të marra në gjykimin në Shkallën e Parë.”, mësohet se ka thënë kryeprokurorja. (J.V/Faxweb)