Shoqata e Bashkive të Shqipërisë akuzon qeverinë shqiptare për mostransparencë në përcaktimin e pikëve për familjet në nevojë që duhet të përfitojnë ndihmë ekonomike. Në një deklaratë të kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi, njëherazi dhe kryetare e kësaj bashkie menaxhimi i Ndihmës Ekonomike nga qeveria shqiptare ka dështuar pasi së pari sistemi nuk ka të dhëna të përditësuara në lidhje me personat e regjistruar si të papunë.
Sipas deklaratës të kryebashkiakes Voltana Ademi janë hequr nga lista e ndihmës ekonomike familje të varfra me fëmijë studentë, të cilët nuk figurojnë të regjistruar në listat e punëkërkuesve.
Së dyti sistemi nuk funksionon dhe për shkak të të mirave materiale të regjistruara në pronësi të familjeve apo familjarëve të cilët kanë aplikuar për ndihmë ekonomike. “Sistemi nuk ka të përditësuara të dhënat për familjet që disponojnë automjete. Për shkak të kësaj, shumë familje që nuk kanë realisht automjete janë hequr nga lista si përfitues të ndihmës ekonomike”, thotë në deklaratën e saj Voltana Ademi. Kjo e fundit rendit si kriter abuzues të përzgjedhjes së familjeve në nevojë që përfitojnë këtë ndihmë nga shteti dhe heqjen nga lista të familjeve që kanë një anëtar të burgosur.
Në fund të deklaratës për media të kryebashkiakes së Shkodrës, nën cilësinë e kryetares së Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, theksohet fakti se procesi i përcaktimit të kritereve dhe përllogaritja e pikëve janë tërësisht jo transparente. Duhet të theksojmë se përzgjedhja e familjeve përfituese të ndihmës ekonomike që nga janari 2018 do të bëhet në nivel qendror, kompetencë e pushteti lokal deri në këtë datë.