Kryeministri Rama së bashku me Lindita Nikollën kanë qenë sot në Universitetin e Tiranës për të takuar një grup pedagogësh.
Mes të tjerave Rama u shpreh i çuditur me një deklaratë të rektorit Mynyr Koni ku shprehej se ‘’vuanin për bukën e gojës”.
Koni nxitoi të thoshte se këtë e kanë thënë mediat dhe jo vetë ai, duke u shfaqësuar përpara kryeministrit të tij.
“Unë nuk kam përmendur në asnjë rast bukën e gojës, dikush tjetër i ka vënë këto fjalë në emrin tim. Ju falenderoj që jeni këtu së bashku me ministren. Detyra ime si rektor dhe e të gjithëve ne na ka rënë barra e implementimit të ligjit në Universitet.”, u shpreh Koni.
DEKLARATA E KONIT PAK DITË MË PARË:
Të nderuar kolegë dhe punonjës të Universitetit të Tiranës!
Jam shumë i shqetësuar në lidhje me mospagesën për punën tuaj të kryer për muajin Janar 2018. Ky është një veprim i paprecedentë nga autoritetet përgjegjëse të ngarkuar me ligj, Bordi i Administrimit dhe Administratori i Universitetit.
Në pritje të daljes të një akti nënligjor, kjo ka bërë të mundur që të bllokohet transferta e pakushtëzuar për Institucionet e Arsimit të Lartë publik.
Në këto kushte, Bordi i Administrimt duhet të kishte çelur fondin për pagat nga të ardhurat e institucionit. Kështu që në Universitetin e Tiranës, të ardhurat e trashëguara nga viti 2017 janë të mjaftueshme për çeljen e fondeve të pagave për personelin e Universitetit të Tiranës. Bordi i Administrimit të UT si dhe Administratori i UT nuk kanë vepruar në çeljen e fondit të pagave nga të ardhurat, të paktën për muajin Janar. Kjo ka bërë të mundur që punonjësit e UT të mos kenë marë pagat.
Ky veprim i BA dhe Administratorit vjen si pasojë e paaftësisë apo mosveprimi i tyre ka të bëjë me trysninë ndaj stafit akademik dhe joakademikt të UT, ashtu siç po veprohet prej një periudhe afro 8-mujore ku një pjesë e stafit të Rektoratit të UT nuk kanë marë pagat.
Në emër të gjithë punonjësve të UT, i bëj thirrje Bordit të Administrimit dhe Administratorit të çelin fondin e pagave të muajit Janar nga të ardhurat dhe të bëhet pagesa e punonjësve brenda ditës së hënë, datë 12.02.2018.
(E.K/FAXWEB)