Sopranoja me famë botërore Inva Mula ka reaguar lidhur me një nga çështjet më të nxehta në vend ditëve të fundit që lidhet me Teatrin Kombëtar ku artistët kanë dalë kundër ministrisë së Kulturës për lëvizjen e godinës së teatrit por edhe kundër ligjit.
Sopranoja Inva Mula e ka konsideruar të turpshme situatën ku punojnë artistët në Shqipëri, duke shtuar se kultura është i vetmja pasqyrë e pastër që eksporton Shqipëria.
Ajo ka thënë se nuk e njeh projektligjin, por kërkon që gjërat të mos fshehen.
“Teatri I kukullave, I vetmi teatër që ka ngelur, nuk ka teatër në Shqipëri. Eshtë akdademia, keni shkuar në akademi? Nuk ulesh dot është e turpshme… është e turpshme në Shqipëri që një artist të jetojë në këto kushte dhe për një spektator që vjen të shikojë një spektakël. Pse duhet ta bëjmë ne koncertin në Pallatin e Kongreseve? Pallati i Kongreseve është për mbledhje.
E kuptoni artistët shqiptarë shqiptarë jetojnë dhe perfomojnë në kushtet që nuk i meritojnë, ky vend nuk e meriton, kultura është e vetmja pasqyrë e bukur e pastër, është i vetmi eksport i pastër shqiptar. Kemi artistët tanë të shkëlqyer që perfomojnë kudo në botë. Të mos ketë Shqipëria Teatër? Unë nuk e njoh këtë projektligjin dhe as nuk ma ka varur njeri (më fal që po flas kështu), më pëlqeu pyetja, por gjërat duhet të dalin të vërteta, të mos kamuflohen”, ka thënë sopranoja Mula. (B.H/Faxweb)