Pas publikimit të vendimit të DASH që i ndalonte hyrjen në SHBA Adriatik Llallës dhe familjes së tij ka reaguar dhe Ambasada Amerikane në vendin tonë.
Ambasada ka shpërndarë vendimin e DASH, duke shmangur komentet të mëtejshme.
Vendimi, i bërë publik të mërkurën, thekson se Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, e miratoi masën e ndalimit për shkak të përfshirjes së ish zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni.
Ligjet amerikane parashikojnë që në rastet kur ka informacione të besueshme se zyrtarë të huaj përfshihen në raste madhore korrupsioni, ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këtyre individëve dhe familjes së tyre të afërt, u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.
Ligji po ashtu parashikon që Sekretari i Shtetit ka të drejtë që sanksionet ndaj këtyre individëve dhe familjeve të tyre, t’i miratojë privatisht ose publikisht. Përveç zotit Llalla, Sekretari Tillerson ka miratuar ndalimin e hyrjes në Amerikë edhe të bashkëshortes së tij Ardjana Llalla, të vajzës Eni Llalla dhe një fëmije tjetër të tij, që nuk ka shtetësinë amerikane.
Duhet thënë se e gjitha kjo ka paraprirë nga një deklaratë e Lu-së që theksonte se tërheqja e Llallës nuk e shfajëson atë nga raste korruptive që mund të ketë pasur në të shkuarën.
“Tërheqja nuk i shfajëson këta ish-zyrtarë nga përgjegjësitë e mundshme penale për korrupsion apo shpërdorim detyre. Ata që kanë frikë nga vetting-u, duhet të kenë frikë edhe nga hetimet e pashmangshme penale”, theksoi ambasadori Lu pak ditë më parë.
(E.K/FAXWEB)
https://www.state.gov/r/pa/prs/ps/2018/02/278338.htm