Ish-kryeministri Sali Berisha në një intervistë për gazetën Express, është shprehur se ai e mbështet idealin suprem të shqiptarëve, atë të bashkimit kombëtar.
Por sipas tij, kjo mund të ndodhë vetëm si një bashkim i dy vendeve demokratike, të pavarura, plotësisht të integruara në NATO dhe BE dhe me një pëlqim të domosdoshëm të SHBA dhe BE.
Sipas Berishës, duhet që edhe fqinjët të binden se një shtet i tillë i bashkuar nuk paraqet kërcënim për ta.
Berisha tha se ideja e nxituar e bashkimit, në këtë fazë do të shkonte në dobi të palës serbe:
“Nuk duhet harruar se dokumenti ndërkombëtar Ahtisari, mbi të cilin është shpallur pavarësia e Kosovës, përcakton mosbashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe as me Serbinë. Mendoj se ideja e bashkimit apo deklarata për bashkimin në këtë fazë të negociatave ndihmon ndjeshëm në rrafshin ndërkombëtar palën serbe dhe dobëson qartë pozitën e palës shqiptare në negociata, u jep serbëve një kartë të fortë në dorë për mungesë serioziteti dhe sinqeriteti të palës shqiptare, e cila tjetër negocion, tjetër ka në mendje.”
Sipas Berishës, deklarata e bërë nga kryeministri Rama, për president të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës, i shkon përshtat vetëm interesave të Ramës dhe Vuçiçit.
“Të parit sepse, me deklarata te tilla kërkon të mbulojë dështimet e tij dhe se i duhen si qyrkë nacionalisti për shqiptarët e Kosovës për të mbuluar defiçitin e tmerrshëm patriotik dhe çelësin e artë të Tiranës që i vendosi në gjoks Bregoviçit. Me një fjalë, kjo deklaratë e Ramës në Parlamentin e Kosovës është si atletet e tij të kuqe në takime ndërkombëtare. Të dytit i duhet për ta tundur para të tjerëve si “eureka”, ja sepse nuk ecin negociatat (për të cilat ai nuk ka asnjë interes që të ecin) sepse ata, shqiptarët, nuk duan marrëveshjen, por bashkimin.” – tha ish-kryeministri.
Berisha shtoi se kjo deklaratë e Ramës krijon pështjellim edhe në BE dhe në qëndrimin e vendeve anëtare ndaj integrimit të Kosovës pasi siç tha ai, ato pranojnë vetëm vende pa sherre njëra me tjetrën dhe jo ato që kanë probleme madhore për të zgjidhur.
“Mendoj se e ardhmja më e mirë e shqiptarëve është anëtarësimi i plotë në BE i Shqipërisë, Kosovës por edhe vendeve të tjera ku jetojnë shqiptarë. Por mendoj se ky proces jo që nuk duhet të pengojë dhe të lërë në pritje integrimin ndërshqiptar, por përkundrazi duhet të nxisë atë!
Në këtë kontekst është e papranueshme që autoritetet midis dy vendeve tona të mos vendosin brenda një kohe të shkurtër të gjitha standardet që ekzistojnë në lëvizjen e njerëzve, mallrave, kontrollin e kufijve, njësimin e ligjeve e praktikave që ekzistojnë midis dy vendeve anëtare të BE. Asgjë nuk pengon autoritetet e dy vendeve tona të ndërmarrin investime e projekte të rëndësishme integruese në fushën e infrastrukturës, rrugëve, hekurudhave, në fushën e arsimit, kulturës, kutikulave, në shkencat e etnogjenezë e në adaptimin e dy shtetësisë për qytetarët e të dy vendeve që e dëshirojnë atë.”
Berisha foli gjithashtu për idenë e ndarjes së territoreve midis Kosovës dhe Serbisë si një ide e viteve 1990 e Sllobodan Millosheviqit, e ndërmarre nga Beogradi edhe pas çlirimit të Kosovës.
“Unë mendoj se pranimi i diskutimit për këtë problem i jep Beogradit një të drejtë që ai nuk duhet kurrë të ketë, i jep atij një justifikim dhe legjitimim të pretendimeve të tij territoriale ndaj Kosovës. Prandaj dhe jam i bindur se mos hapja e kësaj çështje duhet të jetë kusht për të gjitha negociatat me Serbinë. Me uljen në tryezën e bisedimeve, Beogradi de facto ka njohur Kosovën, me kërkesën për ndarje të saj apo me kushtëzimin e njohjes edhe de juro të Kosovës, ai faktikisht bën pazar me troje shqiptare. Nuk kam të dhëna konkrete të implikimit të Ramës në këtë kërkesë por si tip okazional që është dhe protagonizmin fodull që kërkon të marrë, paternalizmin enverist që ishte përdorimi i Kosovës për qëllime të veta jo kombëtare, unë nuk do çuditesha aspak që të ketë diskutuar me “Sandrin”, siç e thërret ai më ledhati Vuçiçin.” – përfundoi Berisha.