Presidenti i Republikës, Ilir Meta, është distancuar nga ish kryeprokurori Adriatik Llalla gjatë një interviste televizive. Meta është pyetur nëse është i zhgënjyer nga Adriatik LLalla, sidomos pas shpalljes së tij “non grata” në SHBA. Meta, ka nxituar të theksojë se Llalla nuk ka qenë propozim i LSI-së, dukshëm duke kërkuar të distancohet nga ish kryeprokurori.
“Nuk dëshiroj të ul nivelin e bisedës, për t’ju përgjigjur disa analistëve, të cilët, dalin shpesh nëpër studio për të përsëritur mesazhe të porositura dhe të pavërteta. Asnjëherë, asnjë prokuror i përgjithshëm nuk ka qenë propozim i LSI-së. Ne e kemi votuar, sepse ka qenë i pranueshëm si zyrtar.”
Lidhur me shpalljen e Llallës “non grata” nga SHBA, Meta është shprehur se nuk dëshiron të komentojë vendimet e SHBA-së.
“Nuk kam aryse , të bëj komente për vendimet që marrin Shtetet e Bashkuara. Është e drejtë e tyre. Kjo është pyetje për zotin Llalla, nuk ka lidhje me mua. Ka qenë kryeprokuror, nuk kam patur ndonje informacion, si kryetar parlamenti, përvec rastit të heqjes së vizave, për shkak se bashkëshortja kishte lindur në SHBA. I kam thënë ambasadorit, që edhe për djalin, t’i hiqet nënshtetësia, nuk ka përse të privilegjohet.”
(E.K/FAXWEB.AL)