Miliona euro kokainë përplasin Ramën me Xhafajn Aksioni i fundit në Durrës ku u kapën 613 kilogramë kokainë, me një vlerë në treg mbi 180 milionë euro, kanë vënë përballë njëri –tjetrit me deklarime të ndryshme, Kryeministrin Rama dhe ministrin Fatmir Xhafaj.
Ndërsa përshëndeti aksionin e policisë kryeministri Rama tha se operacioni është zhvilluar i gjithi në territorin e vendit, pa asnjë sinjalizim nga vendet europiane.
“Edhe fakti që ky operacion është zhvilluar i gjithi në territorin e vendit, pa asnjë sinjalizim nga vendet europiane ku ngarkesa ka udhëtuar përpara se sa të hynte në portin e Durrësit, ka domethënien e rëndësishme të forcës ligjzbatuese që disponojmë sot, duke nisur nga pikat doganore”, shkruajti Rama.
Por ndryshe nga kryeministri ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj në reagimin e tij tha se operacioni u krye në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese vendase dhe të huaja.
“Një superaksion i Policisë së Shtetit në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese vendase dhe të huaja. Goditje e fortë trafikut ndërkombëtar të drogës! Hetimi vazhdon! Forca e Ligjit, forca e shtetit po vepron. Pas pak detajet nga policia e shtetit në një konferencë për shtyp”, deklaraonte Xhafaj. (B.H/Faxweb)