Bombën artizanale që shpërtheu në makinën e konsullatës shqiptare në Selanik e kanë hedhur një grup anarkistësh.
Të paktën në një deklaratë të publikuar orët e fundit, një prej grupeve e ka marrë përsipër përgjegjësinë ndaj sulmit.
Bomba u hodh në mjetin personal të oficerit të kontaktit të Konsullatës së Shqipërisë në Selanik, Renaldo Ndoni. Për këtë fakt është lajmëruar nga autoritetet policore të qytetit edhe Konsullata shqiptare.
Sipas njoftimit, akti i vendosjes së një mase shpërthyese në automjetin me targa diplomatike CD 54-15 është kryer në shenjë solidaritetit ndaj grevës së urisë që ka shpallur i burgosuri anarkist, Kostas Jatzoglou.
Bëhet fjalë për 29-vjeçarin e arrestuar me akuzën që ka vendosur një pako bombe në makinën e ish-kryeministrit grek, Lukas Papadhimos, e cila pas shpërthimit ka shkaktuar edhe plagosjen e tij. Jatzoglou ndodhet në ditën e nëntë të grevës së urisë,
Prej disa ditësh janë arrestuar disa persona në Athinë dhe Selanik të lidhur me sulme të marra përsipër nga grupi “Anarkistët- Anarkistët”. Madje, pas një sulmi ndaj një grupi të policëve të forcave të ndërhyrjes së shpejtë në mëngjesin e së enjtes, anarkistët kane parlajmëruar se do të derdhet gjak nëse i burgosuri Jatzoglou do të humbasë jetën.
Pavarësisht marrjes së përgjegjësisë për sulmin ndaj automjetit të zyrtarit shqiptar organet policore kanë deklaruar se hetimi për gjetjen e autorëve vazhdon.
(E.K/FAXWEB)