Bashkia e Kamzës, ka vendosur që të kalojë me koncesion pastrimin, grumbullimin, transportimin dhe seleksionimin e mbetjeve dhe për këtë ka hapur tashmë edhe procedurën pranë Agjencisë së Prokurimit Publik. Kohëzgjatja e këtij partneriteti është parashikuar që të jetë 12 vjet dhe bashkia, si autoritet kontraktor do i paguajë koncesionarit/PPP një shumë të caktuar vjetore. Sipas njoftimit të bërë pranë APP, projekti parashikohet të ketë një vlerë rreth 10 milionë euro dhe operatori që do të rezultojë fitues do të bëjë investimet fillestare me të ardhurat e veta.
“Vlera e parashikuar e projektit është 1 389 833 694 (një miliard e treqind e tetëdhjetë e nëntëmilion e tetëqind e tridhjetë e tre mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e katër) Lekë pa TVSH. Autoriteti kontraktor ka parashikuar në lidhje me shlyerjen e vlerës së investuar nga koncesionari faktin se koncesionari do të likujdohet për një periudhë kohore prej 12 vitesh nga momenti i nënshkrimit të kontratës.
Koncesionari do të përballojë më të ardhurat e veta të gjithë investimin për makineritë dhe pajisjet për kryerjen e shërbimit dhe ndërtimit të stacionit të transferimit. Ky stacion duhet të ndërtohet dhe të jetë në funksional maksimumi 24 muaj nga data e lidhjes së kontratës” thuhet në dokumentat e Bashkisë së Kamzës.
Kjo e fundit ka bërë me dije se do të vërë në dispozicion për stacionin një tokë në zonën e Valiasit.
Autoriteti kontratues ka parashikuar paraprakisht të gjitha pikat e grumbullimit të mbetjeve për vendosjen e 532 kontenierëve të ndara në 287 pika të grumbullimit të mbetjeve.
Në specifikimet teknike Bashkia përcakton kushtet që duhet të përmbushë operatori lidhur me shpeshtësinë e zbrazjes së kontenierëve, masat e pastrimit si dhe makineritë që duhet të zotërojë.
Afati për dorëzimin e ofertave është 16 prilli 2018.
Burimi: Monitor