Drejtoria e Doganave ka reaguar lidhur me sekuestrimin e 613 kg kokainë në Durrës nga Policia e Shtetit.
Në reagimin e saj Drejtoria e Doganave thotë se operacioni është kryer nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria për Krimet e Rënda, duke theksuar se ky është një fakt i rëndësishëm për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve.
“Administrata Doganore në vijimësi ka përfituar asistencë në rritje kapacitetesh dhe logjistikë nga partnerët ndërkombëtare dhe bashkëpunon dhe shkëmben rregullisht informacion me agjencitë partnere, por ky operacion ishte vepër e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Policisë së Shtetit, me mbështetjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda,” thuhet në reagim.
Reagimi i plotë:
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave hedh poshtë çdo përpjekje abuzive për të krijuar mjegull e shpërndarë lajme të rreme mbi operacionin e suksesshëm të tre ditëve më parë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, përmes të cilit u sekuestruan 613.35 kg kokainë.
Administrata Doganore në vijimësi ka përfituar asistencë në rritje kapacitetesh dhe logjistikë nga partnerët ndërkombëtare dhe bashkëpunon dhe shkëmben rregullisht informacion me agjencitë partnere, por ky operacion ishte vepër e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Policisë së Shtetit, me mbështetjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, rrjedhojë e funksionimit të sistemeve, procedurave doganore dhe bashkëpunimit efektiv.
Ky fakt është për ne i rëndësishëm, sepse dëshmon gadishmërinë, aftësinë dhe vendosmërinë me të cilat Drejtoria e Përgjithshme e Doganave të Shqipërisë dhe Policia e Shtetit, po bëjnë detyrën e tyre në mënyrë korrekte.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave falenderon të gjitha strukturat e përfshira në këtë operacion dhe e siguron opinionin publik për të gjithë vendosmërinë për të rritur në çdo hap cilësinë e aktivitetit te saj, në shërbim të ligjit, qytetarëve dhe sipërmarrjes vendase dhe të huaj. (B.H/Faxweb)