Moderatori dhe gazetari i njohur Denis Dyrnjaja në një reagim të fundit në Facebook, ngre një shqetësim që sipas tij po rrënon vendin tonë.
Duke i etiketuar si “analfabet funksional”, Dyrnjaja thotë se këta individë gjenden kudo por dëmin më të madh e shkaktojnë kur janë në media.
Sipas tij, në bashkëpunim me të tjerë ‘analfabet funksional’, këta njerëz ndërtojnë murin e të paaftëve.
Reagimi i plotë:
“ANALFABETI FUNKSIONAL
Në Shqipëri është prodhuar prototipi i ANALFABETIT FUNKSIONAL. Ai/Ajo është një individ pa shkollimin dhe kualifikimin e duhur ose me shkollim dhe kualifikim fiktiv apo të manipuluar. Këtë prototip e gjen gjerësisht në institucione, në arsim, shëndetësi etj, por dëmin më të madh e shkakton kur është në media sepse rezonon injorancën dhe paaftësinë e vet në publik. ANALFABETI FUNKSIONAL flet, por nuk di të shkruaj, punon pa ditur të punojë, shpesh edhe drejton grupe ose sektorë në ndërmarrje publike ose private. Është ndërveprues me sivëllezërit e simotrat e tij, prepotent dhe arrogant. Së bashku krijojnë murin e padepërtueshëm të të paaftëve. Kështu rrënohen institucione, kompani madje dhe një shtet i tërë. Aq shumë është përhapur ANALFABETI FUNKSIONAL sa dija dhe njerëzit e ditur po ndjehet gjithnjë e më shumë jetimë në këtë vend.”
(F.G/Faxweb.al)