Zjarrfikësit e uzinës së Ballshit kanë protestuar sërish sot në lidhje me mosdhënien e pagave të tyre që prej muajit Janar.
Ata shprehen se u gënjyen në videokonferencë nga ana e ministrit Damian Gjiknuri dhe se zgjidhja e vetme mbetet lufta civile me qeverinë.
I ftuar në ‘’Fax News”, Pano Soko, njohës i problematikave të sektorit të naftës u shpreh se reparti i zjarrfikësve është një nga më të rëndëishmit në Uzinë, pasi ka të bëjë me sigurinë e jetëve të njerëzve.
Sipas tij zgjidhja e vetme për të dalë nga ngërçi mbetet shtetëzimi i ARMO-s dhe rifillimi i punës. Sipas tij inspektorët tatimorë nuk e kanë marrë mundimin për të grumbulluare borxhet e kompanive të naftës, ndërsa tregohen të pamëshirshëm me bizneset e vogla.
“Reparti i zjarrëfikësve është një repart i gadishmërisë së lartë, pasi përtej çdo mosfunksionimi nga ana e financave, roli i tyre është të mbrojnë jetën e njerëzve. Ata janë futur mes dy zjarreve në një anë kanë misionin e mbrojtjes së jetës së njerëzve dhe nga ana tjetër ata kanë të drejtë që të paguhen për punën që bëjnë”, u shpreh Soko.
Ndërkohë duke iu referuar kompanive private që e kanë pasur në shfrytëzim Armon, Soko u shpreh se skema e tyre ka qenë abuzive. Sipas tij Taçi Oil e mori në shfrytëzim uzinën vetëm për të pasur si kolateral për marrjen e kredive nga ana e bankave dhe më pas i ka lënë miliona euro borxh tatimeve dhe shtetit.
“Në planin e vetë të biznesit Taçi Oil nuk e kishte në planin e biznesit që të nxirrte naftë dhe që të eksportonte, por që këtë pasuri ta vendoste si kolateral, në mënyrë që të merrte kredi në katër pesë banka kryesore të vendit. Tashmë ky aset ishte i bankave.
Këtë bëri zoti Taçi, grumbulloi borxhe, dhe në 2013 kur vjen qeveria e re filloi i njëjti avaz. Tashmë kaluan borxhet nga sektori privat në sektorin shtetëror, borxhget iu morën tatimeve, pra na u morën ne. Kjo është e gjitha një histori mashtrimi, mashtrim i pastër. Sot aktualisht ka një stok borxhi që shkon një një shifër në miliona euro.
Vazhdonte puna, vazhdonte që të mos paguheshin taksat, madje nuk paguheshin as furnitorët. U toksikua totalisht situata. Ne shohim ditë pas dite sesi kryeminsitri përpiqet që të na kujtojë luftën ndaj evizorëve fiskalë, ndërkohë që ne kemi një borxh që është akumuluar që vetëm për vitin 2017 borxhi ishte 3 miliardë lekë të reja.
Unë nuk e kuptoj se çfarë kanë bërë inspektorët tatimorë gjatë gjithë kësaj kohe. Askush nuk ka lëvizur gishtin në të gjithë këtë situatë,nuk doli nga dora e shtetit në mënyrë të pashpjegueshme”, u shpreh më tej Soko.
Për të e vetmja zgjidhje që situata të kthehet në normalitet është shtetëzimi i Armos: E vetmja formë për të dalë nga ngërçi është shtetëzimi i kësaj kompanie, hartimi i një plani biznesi, zgjidhja e çështjes së borxheve dhe rikthimi në shfrytëzim i kompanisë. Por ama kjo nuk do të sillte fitime korruptive ashtu siç mund të sjellin koncesionet ose privatizimet.
(E.K/FAXWEB)