Ditën e sotme pas një hetimi disamujor të Prokurorisë ra në prangat e Policisë Ahmet Muçaj, ish-pronar i Universitetit Kristal.
Ky universitet u mbyll nga ana e qeverisë për shkak se kishte dyshime në lidhje me shitblerjen e diplomave dhe mosakreditimin e tij.
E megjithatë edhe pse rezultonte i mbyllur, sipas Prokurorisë Ahmet Muçaj vijonte që të jepte diploma të falsifikuara.
Muçaj dy vite më parë u përfshi në një tjetër situatë të pakëndshme me policinë, teksa u shpall në kërkim për mospagimin e faturave të energjisë elektrike, si dhe vjedhjen e saj.
Nga ana tjetër Muçaj e ka shtrirë biznesin e tij edhe në fushën e mediave, ndërsa ishte nën drejtimin dhe të televizionit ‘’Planet”. Po ashtu Muçaj kishte aksione në kompaninë celulare ‘’Plus” e cila shpalli falimentimin pak kohë më parë.
Ai njihej ndryshe dhe si Meti i Kristalit, ndërsa është shpallur dhe qytetar nderi në Çorovodë, për investimin e tij tek brezat e rinj. Ky çmim iu dorëzua nga deputeti i LSI-së Nasip Naço, i cili shpehej se ndërsa politikanët flasin, Meti vepronte.
Kujtojmë se me diploma Kristali nuk ishin mbushur vetëm shqiptarët por edhe italianët. Kohë më parë u publikua skandali se në këtë universitet kishte marrë diplomë edhe Djali i Umberto Bosit, Renzo Bosi.
(E.K/FAXWEB)