Ardian Çobo, 47 vjeç i arrestuar dy ditë më parë nga Policia e Përmetit për dhunë të ushtruar ndaj 2 lojtareve të basketbollit të ekipit të Flamurtarit të Vlorës, është liruar sot në sallën e gjyqit në Gjykatën e Përmetit.
Fax News raporton se sapo është dhënë masa e arrestit me “detyrim paraqitje” për dhunuesin e basketbollistëve femra mesditën e të dielës. Prokurorja e çështjes Silvana Pani kishte kërkuar burg pa afat ndërkohë që avokatja Minushe Çobo e 47 vjeçarit Ardian Çobo kërkoi lirimin e menjëhershëm. Gjyqtari Pashk Gjaci mori për bazë argumentet e paraqitura nga avokatja e të pandehurit çka dha vendimin me detyrim paraqitje.
Ardian Çobo u arrestua mesditen e te dielës për dhunë të ushtruar ndaj dy lojtarëve të Flamurtarit pas takimit të basketbollit Përmeti-Flamurtari kur lojtarët e Flamurtarit debatonin në dhomat e zhveshjes me lojtarët e Përmetit ku një prej tyre ishte edhe e bija e të arrestuarit. Prokuroria kishte ngritur tre akuza konkretisht ‘Kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik’, ‘mosbindje ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik’ dhe ‘dëmtime të tjera me dashje.’
(M.Q/Faxweb)