Prej tre ditësh tashmë zona e Shkodrës po vuan pasojat e përmbytjeve për shkak të hapjes së portave të hidrocentraleve.
Situata është duke u përkeqësuar për shkak edhe të reshjeve të vazhdueshme të shiut, ndërsa në terren kanë dalë dhe forca të shumta të ushtrisë.
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi ka kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në këtë zonë, por kërkesa e saj nuk është pranuar nga ana e prefektit të qarkut.
Njësia Administrative Ana e Malit:
Është rritur sipërfaqja e përmbytur dhe niveli i ujit. Në fshatin Obot kalohet me makina ushtrie. Aktualisht jane 3 makina ushtrie, 2 varka me motor dhe 20 ushtarë të cilët janë në gatishmëri për të plotësuar nevojat jetike të banorëve.
Njësia Administrative Dajç:
Është rritur niveli i ujit dhe për rrjedhojë ka shtim të sipërfaqes së përmbytur. Rruga Darragjat- Shirq është e bllokuar nga rritja e nivelit të ujit. Mund të kalohet vetëm me mjete të larta.
Njësia Administrative Guri i Zi:
Në afërsi të malit të Vukatanës, konstatohet një gërryerje (erozion) i madh i tokës bujqësore. Që nga darka e kaluar, janë gërryer afërsisht 3 ha tokë, rreth 800 ml gjatësi.
Situata vijon të mbahet në monitorim nga Bashkia e Shkodrës, e cila eshte e angazhuar me te gjithë strukturat e saj.
(E.K/FAXWEB)