Gazeta amerikane New York Times i ka kushtuar një artikull lajmit se Partia Demokratike ka bashkëpunuar me rusët për të lobuar në SHBA gjatë fushatës.
Gazeta ka raportuar situatën e krijuar në Shqipëri pas daljes së lajmit, reagimet dhe kundërpërgjigjet, teksa publikon një tjetër detaj interesant.
Sipas NYT, pagesa e kryer nga PD është një fakt.
“Demokratët, të cilët pësuan një humbje të madhe në zgjedhjet e qershorit, nënshkruan një kontratë me lobistin amerikan Nick Muzin, i financuar nga një kompani e lidhur me Rusinë, për të siguruar një takim të kreut të PD, Lulzim Basha me presidentin amerikan, Donald Trump dhe katër senatorë republikanë.”-thuhet në artikull.
Artikulli i plotë publikuar në New York Times:
Partia Demokratike e Shqipërisë, partia kryesore e opozitës, i ka hedhur poshtë akuzat e revistës amerikane Mother Jones se partia ka marrë fonde sekrete nga burimet ruse gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar.
Mother Jones shkruante në artikullin që u publikua të martën, se kompani të lidhura me Rusinë përdorën një lobist për të bërë fushatë për PD-në në SHBA gjatë zgjedhjeve parlamentare.
Sipas artikullit, Nick Muzin, një ish-ndihmës i fushatës për presidentin amerikan Donald Trump, u pagua nga një firmë e quajtur Biniatta Trade.
“Duket se kompanitë e lidhura me Rusinë, kanë ndërhyrë fshehurazi në Shtetet e Bashkuara në mënyrë që të ndikonin në zgjedhjet në Shqipëri,” thuhet në shkrimin e Mother Jones.
Të mërkurën, demokratët hodhën poshtë akuzat, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama të Partisë Socialiste si financuesin e një “historie qesharake me fakte të rreme”.
“Historia është produkt i një fushate të gjerë të ndërmarrë nga Edi Rama që financohet nga bota e krimit dhe korrupsionit,” thanë demokratët një deklaratë.
Demokratët, të cilët pësuan një disfatë të thellë në zgjedhjet e qershorit, nënshkruan një kontratë me lobistin amerikan Nick Muzin, i financuar nga një kompani e lidhur me Rusinë, për të organizuar një takim me kreun e partisë Lulzim Basha me Trump dhe katër senatorë republikanë, në mbështetje të Bashës para zgjedhjeve.
Pak ditë para zgjedhjeve në Shqipëri, Muzin siguroi një biletë VIP prej 20,000 dollarë (16,000 euro) për Bashën gjatë një eventi për mbledhje fondesh ku ndodhej Trump, dhe ku u shkrep fotoja me Presidentin.
PD , megjithatë, këmbëngul që “nuk ka pasur as nuk ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me individët ose kompanitë ruse”.
Ambasada ruse në Tiranë tha se historia e Mother Jones ishte “tërësisht trillim absurd” dhe pjesë e një “fushate të pista mediatike” kundër Rusisë.
“Qëllimi është i qartë: Duan të imponojnë një perceptim të shtrembërtë për vendin tonë dhe të minojnë zhvillimet e mëtejshme pozitive në bashkëpunimin midis Rusisë dhe Shqipërisë”, tha ambasada në një deklaratë.
Burimi: New York Times
Përshtati në shqip: F.G/Faxweb.al