Ambasadori rus Aleksandër Karpushin, në një intervistë për Java në RTSH, ka folur për situatën politike në Shqipëri dhe çështjen e ndikimit rus që ka ngjallur debat ditët e fundit.
Për Karpushin, lajmet e mediave shqiptare janë të habitshme, dhe të ashtuquajturat “tentakulat e Moskës”, nuk reflektojnë deklarata që mund të dalin nga një vend demokratik.
“Kohët e fundit na kanë habitur jashtë mase përpjekjet e disa mediave shqiptare, po edhe të disa përfaqësuesve të organeve shtetërore, për demonizimin e Rusisë. Të krijohet përshtypja që qëllimi i tyre është për të bindur qytetarët shqiptarë se vendi ynë është një “perandori e së keqes”, ndërsa rus do të thotë armik. Deklaratat e fundit që kemi dëgjuar për “tentakulat e Moskës”, të cilat gjoja janë shtrirë në të gjithë rajonin e Ballkanit, ngjanë më së shumti me retorikën e kohës së Enver Hoxhës, por aspak me deklaratat e politikanëve të një vendi modern dhe demokratik. Po të vazhdojmë të ecim me këto ritme, mund të arrijmë në një pikë kur edhe adhuruesit e Dostojevskit dhe Tolstoit do të stigmatizohen si “agjentët e Kremlinit”. Për mendimin tim, kjo është një tendencë shumë e rrezikshme”,-ka thënë Karpushin.
(F.G/Faxweb.al)