Policia Kufitare e Ukrainës ka njoftuar se 35-vjeçari me pasaportë nga Kosova u kishte thënë atyre pas arrestimit, se donte të hynte në Ukrainë për të takuar një vajzë që jeton në qytetin e Rivnes.
Një shtetas i Kosovës i ka thënë Policisë Kufitare të Ukrainës se ka tentuar të hyjë ilegalisht në Ukrainë për të shkuar në qytetin e Rivnes – në perëndim të Ukrainës – për të takuar të dashurën e tij.
Kosovari e dha këtë deklaratë për Policinë Kufitare të Ukrainës, pasi u kap sot duke kaluar ilegalisht kufirin mes Rumanisë dhe Ukrainës.
Përmes një njoftimi zyrtar, Policia ukrainase ka thënë se bëhet fjalë për një 35-vjeçar kosovar, raporton Insajderi.
“Dëbora dhe rrethojat e kufirit nuk janë pengesë për një dashnor nga Kosova”, thuhet në njoftimin e Policisë Kufitare të Ukrainës. “Personi, i cili u përpoq të hyjë ilegalisht në territorin e Ukrainës duke anashkaluar pikën e kontrollit, u arrestua nga Rojet Kufitare të Departamentit Kosino”.
Policia Kufitare e Ukrainës ka njoftuar se 35-vjeçari me pasaportë nga Kosova u kishte thënë atyre pas arrestimit, se donte të hynte në Ukrainë për të takuar një vajzë që jeton në qytetin e Rivnes.
“Rojet kufitare ndaluan një shtetas të huaj 10 metra larg kufirit, teksa ai u përpoq ta kapërcente rrethojën bllokuese. Ai shpjegoi sjelljen e tij, duke thënë se donte të takohej në Ukrainë me një vajzë që jetonte në Rivne”, vazhdon njoftimi.
Siç njoftojnë autoritetet ukrainase, kosovari është ndaluar në një qendër të paraburgimit.