1 person ka mbetur i vdekur dhe një tjetër është plagosur në Fier, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit me Policinë.
Personat kishin hyrë në një banesë për të vjedhur ndërsa Policia ka mbërritur në vendngjarje, menjëherë pas sinjalizimeve.
Në këto kushte, grabitësit që dyshohet se kanë qenë 4 persona kanë hapur zjarr ndaj Policisë. Policia është kundërpërgjigjur, duke lënë të vrarë njërin nga hajdutët dhe të plagosur një tjetër.
Dy grabitësit e tjerë janë larguar nga vendngjarja, ndihmuar dhe nga kushtet e motit dhe nga errësira në rrugë.
Nga rradhët e efektivëve të Policisë nuk ka pasur asnjë person që ka mbetur i dëmtuar. Deri më tani nuk dihet asnjë prej identiteteve të personave të përfshirë në ngjarje.
Ndërkohë është gjetur e braktisur në periferi të qytetit të Fierit, fuoristrada me të cilën dyshohet se janë larguar nga vendngjarja dy personat e tjerë që ishin pjesë e grabitjes.
Sipas burimeve të Policisë, autorët qëlluan me kallashnikov sapo panë punonjësit e policisë. Edhe pistoletat u gjetën me fishek në gojë. Burime të ‘’Faxweb” nga Policia thonë se është bërë e mundur identifikimi dhe i personave që janë arratisur nga vendngjarja.
E gjithë familja ka qenë në banesë në momentin që ka ndodhur ngjarja, ndërsa nga shkëmbimi i zjarrit ka pasur shenja dhe në suvanë e pallatit. Banesa e tyre ndodhej në katin e tretë, ndërsa e gjithë lagjja ka ndjerë panikun e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Policia e Fierit sqaron se: Pas marrjes së njoftimit mbërritën në vendngjarje shërbimet e policisë, të cilët janë përballur me disa persona të maskuar e të armatosur me pistoleta e automatikë, të cilët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të punonjësve të policisë.
Në kushtet e reagimit propocional, nga shkëmbimi i zjarrit, njëri nga autorët është plagosur dhe një tjetër ka gjetur vdekjen.
Të dy ata ishin të maskuar e të armatosur me pistoleta, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Autorët e tjerë, që dyshohet se janë edhe dy, duke qëlluar në drejtim të punonjësve të policisë janë larguar duke përfituar nga errësira dhe kushtet e motit, me një mjet ende të paidentifikuar.
Nga rradhët e Policisë së Shtetit nuk ka të lënduar.
Menjëherë janë ngritur pika të shumta kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e qytetit dhe po vijon puna për kapjen e autorëve të tjerë.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një numër i konsiderueshëm provash materiale.
Nën drejtimin e një grupi të posacëm të Prokurorisë, i cili gjendet në vendngjarje, po vazhdon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje.
(E.K/FAXWEB)
https://www.youtube.com/watch?v=LWwgqvy4eQA&feature=youtu.be