Deputetja e PD, Jorida Tabaku shkruan përmes një statusi në Facebook se sipas pyetësorit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, Shqipëria ka rënë me 2.15 pikë dhe se taksat e larta janë pengesa kryesore e bizneseve në vend. Tabaku shprehet se taksat në vend janë rritur me mbi 2 mld USD kumulativisht dhe bizneset vazhdojnë të mbyllen, ndërsa sipas saj shpëtimi është taksa e sheshtë dhe një qeverisje e djathtë.
Statusi i Tabakut:
Problemi është taksa, problemi është qeveria!
Një tjetër zë i rëndësishëm dhe me peshë i është bashkuar sot shqetësimit të bizneseve vendase dhe opozitës, Dhoma Amerikane e Tregtisë në vlerësimin e saj vjetor nënvizon se problemi në vend janë taksat. Pyetësori i bërë publik prej saj nënvizon se Shqipëria ka rënë me 2.15 pikë dhe se taksat e larta janë pengesa kryesore e bizneseve në vend shoqëruar me burokracinë e lartë.
Që nga paketa fiskale 2014 biznesi vendas është kthyer në një kavie eksperimentale e qeverisë. Taksat në vend janë rritur me mbi 2 mld USD kumulativisht. Bizneset vendase vazhdojnë të mbyllen dita ditës ndërkohë që tërheqja e investimeve të huaja është minimale. Një situatë e tillë paralajmëron një krizë në rritjen ekonomike të vendit dhe njëkohësisht një krizë në konsum. Taksat e vendosura nga qeveria po thellojnë pabarazinë dhe po varfërojnë përditë shqiptarët.
Shpëtimi i vetëm është taksa e sheshtë dhe një qeverisje e djathtë, me taksa të ulëta, derregullim të lartë dhe incentiva fiskale në shërbim të sipërmarrjes. Dhoma Amerikane e Tregtisë njësoj si shumë prej bizneseve shqiptare evidenton qartë se problemi sot në vend është qeveria!
(E.L/Faxweb)