Shtëpia e Bardhë, ka reaguar përmes një postimi në ‘’Instagram” në lidhje me dëbimin e diplomatëve rusë nga disa vende.
23 nga partnerët e saj, ku përfshihet edhe Shqipëria, dëbuan gjithsej 137 diplomatë.
“Presidenti Donald Trump urdhëroi dëbimin e dhjetëra punonjësve të inteligjencës ruse nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbylljen e Konsullatës Ruse në Siatëll. Me këto masa, SHBA dhe aleatët tanë i kanë bërë të qartë Rusisë se veprimet e saj kanë pasoja”, lexohet në përshkrimin e fotos së postuar në Instagram.
Shqipëria dëboi Vladislav Filipovin, atasheh ushatarak, si dhe Alexey Nikolaevich Balashovin, sekretar i parë i Ambasadës.
Vendimin e bëri të ditur Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, e cila thirri ambasadorin e Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë, Aleksandër Karpushin.
“Ambasadorit rus iu komunikua nota verbale për shpalljen si persona të padëshirueshëm të dy diplomatëve rusë, veprimtaria e të cilëve nuk përputhet me statusin e tyre diplomatik”, njoftoi dikasteri i kryesuar nga Ditmir Bushati. Ky veprim i Shqipërisë është në sintoni me atë të një sërë vendesh të Aleancës së Atlantikut Verior, duke nisur nga Shtetet Bashkuara të Amerikës.
Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi dëbimin e 60 diplomatëve rusë, ndërsa Gjermania, Franca, Ukraina, Kanadaja dhe vende të tjera europiane kanë dëbuar po ashtu përfaqësuesit e Moskës.
(E.K/FAXWEB.AL)