Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në një ceremoni diplomimi në një shkollë profesionale në kryeqytet, u ndal tek të rinjtë dhe tek papunësia.
Duke vazhduar me rëndësinë e veçantë që sipas Kryeministrit ka arsimi profesional, ai u ka bërë thirrje të rinjve të punojnë në privat pasi aty mund të bëhen të pasur.
Rama ka shtuar se sipas një ankete, problemi kryesor pse të rinjtë shqiptarë janë të papunë është sepse nuk janë të kualifikuar.
Pjesë nga fjala e Kryeministrit:
“Në sektorin privat mund të merrni rroga shumë të larta se në shtet, dhe aty mund të zhvilloni ambiciet tuaja për tu bërë shumë më të pasur se gjithë të pasurit bashkë që janë sot sipërmarrës.
Ne jemi larg shumë, por nëse kthejmë kokën pas do të shikojmë se nga 3 mijë nxënës që figuronin në arsimin profesional fantazmë, pasi shkollat ishin jashtë çdo lloj kushti, sot kemi të regjistruar 25.000 studentë në arsimin profesional, janë afërsisht 20% e totalit. Është shumë e rëndësishme t’ju them se në një anketim të bërë me sipërmarrjen dhe investitorë të huaj për pengesat që ndeshin për të investuar në Shqipëri, pengesa e parë që identifikojnë, është mungesa e krahut të kualifikuar të punës. Adresimi i kësaj mungese është domosdoshmëri, nga ana tjetër kërkon kohën e vet që të arrijmë në pikën kur të kemi një ekuilibër mes nevojave të tregut, dhe krahut të kualifikuar të punës, që del nga arsimi profesional.”
(F.G/Faxweb.al)