Vuajtjet e të shkuarës komuniste jo pak herë janë bërë objekt debati dhe në ekranet e televizioneve shqiptare. Dje ai që ka ndezur një sërë reagimesh të forta ka qenë historian Pëllumb Xhufi.
Mbrëmë në studion e “Arena” ai ka publikuar një dokument të CIA-s rreth kampit të Tepelenës. Ai thekson se konsiderimi i këtij kampi si Aushvici shqiptar është banal.
“Çështja e kampit të Tepelenës ishte ndoshta kampi më i mirë se kampet e tjera. Kampi i Maliqit ishte më i tmerrshëm. Askush nuk e thotë pse u ngrit ky kamp. Pas prishjes me Jugosllavinë, ka ndodhur një gjë e madhe pasi Jugosllavia ngriti bazat në Prizren dhe në Ulqin, ku organizoheshin grupet që arratiseshin nga Shqipëria. Armatoseshin, vinin dhe bënin aksione. Në këtë kamp u izoluan familjet kryesisht nga veriu.
Këta që e kanë promovuar çështjen e këtij kampi ku është angazhuar edhe Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tepelenës, e kanë quajtur Aushvici shqiptar, kampi i shfarosjes në masë. Po ta dëgjojnë lobet çifute do të tmerrohen sepse është një banalizim. Unë kam pasur rastin të shoh dokumentet e CIA-s për këtë kamp që ishin informuar nga njerëz nga brenda. Ata thonë që këta janë familjet e njerëzve të arratisur të sponsorizuar nga Jugosllavia”, deklaroi Xhufi.
I pyetur nëse ka një numër të vdekurish në këtë kamp, historian i njohur tha se: “Absolutisht jo! Kanë qenë kazermat e ushtrisë deri në fund të viteve 60. Ato i ka ngritur ushtria italiane, ndërtesa solide me tulla”.
Mirëpo kjo deklaratë e Xhufit është cilësuar si komuniste në rrjet, ndërsa një nga reagimet më të forta ka qenë dhe ai i pedagoges së komunikimit, Jonila Godole.
Godole shkruan: E rende!!! Nje njerin ekran, Pellumb Xhufi paraqiti dokumente gjasme te CIA-s se “Kampi i Tepelenes” paska qene thjesht nje kamp pushimesh dhe jo nje kamp shfaroses, ku nder te tjera kane vdekur burra e gra, dhe mbi 300 femije te mitur, duke mohuar me cinizem dhe dashakeqesi te perllogaritur vuajtjet dhe historite jetesore te gjithe atyre njerezve qe i kane rrefyer ato ne keto 27 vjet.
Eshte njesoj sikur te cohej nje historian i njohur ne Gjermani dhe te mohonte Holokaustin! Ky do te kishte qene nje skandal, dhe do te kishte pasur pasoja profesionale dhe juridike ndaj personit. Ndaj duhet kerkuar me force nga e gjithe shoqeria, njohja dhe denimi i krimeve te komunizmit prej shtetit shqiptar dhe mbajtja e pergjegjesise ligjore nga te gjithe ata persona qe perpiqen te mohojne krimet e diktatures!
(E.K/FAXWEB.AL)