I ftuar në studion e Fax News për të folur mbi protestën e banorëve të Kukësit për heqjen e tarifës në Rrugën e Kombit ishte aktivisti dhe ambientalisti Sazan Guri.
Ai tha se në tërësinë e saj, pavarësisht në disa elementë që mund të ketë patur dhunë, e mbështet.
Duke sqaruar se pse protesta arriti në këtë situatë dhune në përballje me qeverinë ambientalisti Guri tha se dy vite përpara një grup nga shoqëria civile ka bërë protestën e parë kundër dhënies me koncesion të Rrugës së Kombit një kompanie turke dhe morën takim me ministrin e transportit të asaj kohe, Edmond Haxhinasto, të cilit iu imponuan përmes argumenteve që kjo rrugë nuk duhet taksuar.
“Më vonë ndodhi që kjo rrugë iu dha një kompanie shqiptare që po t’i krahasosh më mirë është një kompani e huaj sepse leku mbetet brenda. Sërish ne nuk ishim dakord jo sepse kemi gjë me kompaninë por me parimin, thelbin që pse kjo rrugë nuk duhet taksuar. Takuam ish-ministrin Sokol Dervishaj dhe kemi bërë një shkrim në 16 dhjetor 2016 ku tregonim se kjo është një rrugë për taksidarë jo për qytetarë. Ky është edhe thelbi i diskutimit të sotëm.” – tha Sazan Guri
Aktivisti u shpreh se qytetarët u kujtuan me shumë vonesë.
“Nga 2004 e sot, kohë në të cilën jam pjesë e shoqërisë civile, ka kuptuar që shumë gjëra mund të zhbëhen në momentin kur janë ende draft. Ne kemi shkuar deri në Këshillin Bashkiak të Kukësit, kemi bërë edhe një protestë në Kukës. Informacioni u morr vesh nga kuksianët, tropojanët, prizrenasit. Por ajo që ndodh me shqiptarët është se janë të pavëmëndshë ndaj zhvillimeve.
Ajo që e kam ndarë këto dy ditë me mijëra qytetarë është se kjo rrugë nuk ka për t’u paguar për pesë arsye:
E para, ajo rrugë nuk duhet tarifuar për aq kohë sa nuk ka një rrugë të dytë alternative në kushte normale.
E dyta është rrugë e bërë me fonde publike dhe shteti nuk mund t’u thotë qytetarëve “pasi e ndërtova me paratë tuaja, paguani edhe njëherë ju se unë kam gabuar në mirëmbajtje”.
E treta, kjo është rruga më e shtrenjtë në botë: 15 milionë euro për km, ndërkohë që Kosova e ndërtoi me 10 milionë euro për km dhe shteti maqedon e ndërto me 5 milionë euro për një km. Kujtojmë këtu taksën ‘Majko’ që na mori 14 milionë euro. Kemi paguar nga 70 mijë lekë për tri vjet rrjesht. Më kthe 210 mijë lekë që më ke marrë në atë kohë dhe pastaj ulemi flasim për tarifën aktuale.
E katërta, kjo është rrugë e pambaruar. Janë 65 km të pambaruara. Thuhet se kjo është taksë për mirëmbajtjen e tunelit por gënjejnë sepse kjo është taksë për ato 65 km e pambaruara.
E pesta, kur shteti maqedon e ka 0.25 cent për km që i shkon 2.5 euro për km, që në rastin tonë që janë 65 km duhet të shkonte 1.5 euro. Pra edhe nëse bihej dakord që të vendosej, maximum duhet të ishte 1.5 euro dhe kur të përfundoj rruga në total të shkojë 2.5 euro.” – theksoi Sazan Guri në studion e Fax News.
Ambientalisti theksoi se në Kukës, varfëria lexohet sheshit.
“Ata ishin një qytet fantazëm në mjerim. Ata janë aq të varfër e të dëshpëruar saqë tarifa në Rrugën e Kombit ishte thjesht akti i fundit dhe preteksti për të shpërthyer.” – tha ai.
(E.L/Faxweb)