Prej dy ditësh përpara ambienteve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, familjarë, qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë protestuar kundër arrestimit të 23 pjesëmarrësve në protestën e të shtunës në Kukës.
Sipas Policisë këto protesta maratonë kanë qenë të paligjshme dhe për këtë shkak ka nisur procedimin penal për 8 qytetarë, mes tyre dhe për aktivistët Besjan Pesha, Brizida Gjikondi dhe Adriatik Lapajn.
Të tre ata e kanë pritur ‘’mirë” procedimin, sa kohë që sipas tyre ata janë renditur në anën e mirë të çështjes.
Pas marrjes së lajmit në lidhje me procedimin Pesha dhe Lapaj ata kanë zgjedhur që të rikthehen përpara ambienteve të Policisë, duke bërë madje edhe nga një foto ‘’kujtim”.
‘’E falenderoj policinë për proçedimin penal. E falenderoj që më rreshtuan përkrah heronjve të Kukësit dhe përballë të pangopurve! Faleminderit nga zemra”, shkruan Pesha.
Për Adriatik Lapajn kjo është hera e dytë brenda muajit që për të nis një procedim penal, kundër fjalës së lirë.
‘’Sapo mora njoftimin se sërish (2 herë këtë muaj) qeveria nuk i pëlqen të vërtetat që them ndaj dhe përmes “policisë së partisë” më ka proceduar penalisht për pjesmarrje në protestë.
Betejat i kam për dinjitet ndaj dhe nuk tërhiqem. Koha do tregoj sa shumë po gabon.
Edi jam nipi i Rrapo dhe Merzine Lapës unë, atyre që shtin dyfek për atdhe e dolën malit nga 17 vjeç në 1941 ndaj ushtrive pushtuese ndaj nuk trembem kollaj.Të përshëndes!”, shkruan Lapaj.
Nga ana tjetër aktivistja Brizida Gjikondi ka zgjedhur që të bëjë edhe pak humor, teksa thotë se shqetësimi i vetëm i saj është fakti se i kanë rritur moshën me një vit.
‘’Nuk jam shqetësuar qe po më procedon penalisht. Jam mërzitur se më ka rritur moshën me 1 vit”, shkruan Gjikondi.
Gjatë ditës së sotme pritet që të ketë zhvillime të tjera, teksa gjykata do të rivlerësojë masën e sigurisë për 23 të arrestuarit, të cilët janë shpëndarë në disa komisariate të Tiranës, dhe në komisariatin e Kukësit.
(E.K/FAXWEB.AL)