Në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, ku u propozuan ndryshime të reja statutore, foli edhe ish deputeti Arben Imami.
Imami tha se nuk kishte mbetur i kënaqur nga propozimet për ndryshime , pasi sipas tij nuk sanksiononin disa ndryshime të domosdoshme për Partinë Demokratike.
“Ndryshimet e paraqitura nga unë më herët, nuk ishin pasqyruar në këtë projekt-statut, kjo pasi nuk janë trajtuar çështjet thelbësore të organizimit të Partisë Demokratike. Unë kam kërkuar dorëheqjen e kryetarit, pasi humb zgjedhjet, si dhe ngritjen e një bordi për administrimin e financave të Partisë. Kjo e fundit është mjaft e rëndësishme, pasi të gjithë duhet të dinë se si dhe pse përdoren paratë e Partisë”, u shpreh Imami.
Ndërkohë që në lidhje me mandatin e Kryetarit, ish ministri i mbrojtjes tha se vetë Lulzim Basha ende nuk ka një qëndrim të vetin për këtë çështje.
“Ky është problemi, pasi vetë kryetari nuk ka një qëndrim të qartë në lidhje me kohëzgjatjen e mandatit. Unë personalisht nuk jam për zgjedhje çdo dy vite, por mendoj se në rast problemesh politike, mund të kërkohët votëbesim më në çdo periudhë, ashtu siç është përshkruar në mënyrë mjaft të saktë nga drafti Harxhi-Kulluri”, tha Arben Imami.
(M.Q/Faxweb)