Ditën e djeshme lajmi se Departamenti Amerikan i Shtetit i kishte ndaluar hyrjen në SHBA deputetit Tom Doshi dhe familjes së tij, u përhap me shpejtësi në mediat shqiptare dhe jo vetëm.
Në lidhje me këtë ka reaguar sot Ambasada amerikane në vendin tonë, teksa ka shmangur çdo koment të sajin, duke shpërndarë vetëm postimin e DASH-it në faqen e saj në ‘’Facebook”.
Argumentimi me të cilën DASH veproi në rastin e Doshit ishte i ngjashëm me atë që u përdor në rastin Llalla, dyshime për përfshirje në afera korruptive.
Vetë Doshi u shpreh i pashqetësuar në lidhje me vendimin e SHBA-ve, teksa tha se në jetën e tij nuk ka firmosur asnjë dokument korruptiv, dhe është një nga taksapaguesit më të mëdhenj në vend.
“Nuk kam dijeni për këtë vendim. Mua nuk më ka ardhur një vendim i tillë. Gruaja ime dhe fëmijët e mi kane pasaportë australiane. Ndërsa unë kam patur vizë amerikane, por më ka skaduar. Në momentin që kam aplikuar sërish për vizë, më kanë kërkuar dokumente nga prokuroria. Por duke qenë se në atë kohë isha në hetim nuk çova dokumente shtesë, dhe viza mbeti pezull.” – tha deputeti Tom Doshi.
“Për ça të kem frikë unë? A jeni në terezi? A e merrni vesh? A po e merr vesh?! Mos bëni pyetje budallaqe. Jam njeri më i votuar në Shqipëri. Populli më ka votuar, mos u merrni me këto ça thuhen. Me këto tenderat ca thoni ju. Unë paguaj taksa dhe jam në rregull me shtetin. Mos u shqetësoni për mua. Po për Llallën a keni ndonjë lajm, a do arrestohet apo jo?” – mësohet të jetë shprehur Doshi.
(E.K/FAXWEB.AL)