Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati “fajëson” Presidentin e Republikës, Ilir Meta për shtyrjen e vizitës së Kryeministrit grek, Aleksis Tsipras në Tiranë.
Duke folur në Top Show gjatë mbrëmjes së djeshme, ministri paralajmëroi se brenda pak ditëve do të mbahet raundi i parë teknik mes Shqipërisë dhe Greqisë, takim që do të zhvillohet në Tiranë.
“Vonesa për dhënien e plotfuqishmërisë nga ana e Presidentit Meta, shtyu takimin mes Ramës dhe Tsiprasit. Për pak ditë do të kemi raundin e parë teknik në Tiranë mes Shqipërisë dhe Greqisë për të pasur dhe dokumentin e partneritetit strategiik mes dy vendeve”, deklaroi Bushati.
Ministri thotë se nëse arrihet një marrëveshje, Greqia mund ta përdorë si shembull për bisedimet me vendet e tjera, fqinje, por këmbëngul se nuk ka asnjë ndërhyrje nga Turqia në Tiranë për të bllokuar marrëveshjen për kufirin detar me Greqinë.
“Mund të shërbejë si precedent për marrëveshjet me Libinë dhe Egjiptin, por nuk na rezulton me Turqnë dhe nuk ka fare interferencë për këtë çëshjte nga Turqia”, thotë ai.
Bushati pranoi se përsa i takon çështjes çame, diferencat mes Tiranës dhe Athinës janë të thella.
“Nuk është çështje për të vendosur në pikëpyetje e integritetin territorial mes dy vendeve. Nuk ka ende një qëndrim të përafruar mes nesh dhe Greqisë për këtë çëshjte, siç me kënaqësi për disa çëshjte të tjera jemi më afër”, thotë ai.
Sa i takon heqjes së ligjit të luftës, kryediplomati shqiptar thotë se ky vendim nuk prek drejtpërdrejtë çështjes e pronësisë së çamëve.