Ashtu siç edhe dje ”Fax News” raportoi, karburantet e kompanisë Gulf në vendin tonë kanë vendosur shiritin.
Nga ana e vetë kompanisë deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim, ndërsa burime të ‘’Fax News” bëjnë me dije se është shpallur falimenti. Në të gjithë vendin mësohet se janë 41 pika të kësaj kompanie.
Një dëm shumë i madh u është shkaktuar edhe qytetarëve dhe bizneseve të cilët kishin blerë tollona në këtë kompani, të cilave u janë djegur, pasi karburant nuk kishte më.
Një prej biznesmenëve është shprehur për ‘’Fax News” se ai ka ka marrë rreth 800 litra naftë me tollona dhe tashmë nuk ka se ku të mund të ankohet, pasi askush nga kompania nuk i ka dhënë përgjigje. Sipas tij ata u tërhoqën prej çmimit të lirë, po skema e përdorur nga kompania është e ngjashme me firmat piramidale.
‘’ Na dhanë naft me çmim më të lirë, unë jam biznesmen dhe kam marrë 800 litra. Më kanë ngelur tollonat në xhep. Kam dhënë nga 2 milionë lekë në dorë, do shkoj në komisariat, pasi ne nuk kemi asnjë kontratë të shkruar. Janë skema piramidale”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër punëtorët e kësaj kompanie shprehen se nuk kanë marrë rrogat e këtij muaji, ndërsa prej janarit nuk u janë paguar sigurimet shoqërore.
Askush nuk i ka lajmëruar ata në lidhje me atë që do të ndodhte me kompaninë dhe as me vendet e tyre të punës. Nuk dihet ende nëse pikat që janë të vendosura në të gjithë vendin do të blihen nga kompani të tjera në fushën e karburantëve.
Gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme në disa pika të kësaj kompanie është vënë re një rradhë e madhe qytetarësh, madje dhe me bidona plastikë, të cilët kërkonin që të merrnin mbrapsht sasinë e karburantit për të cilën kishin paguar paraprakisht.
(E.K/FAXWEB.AL)