Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka reaguar në Facebook pas vendimit të sotëm për lirimin nga masa e arrestit me burg të 7 prej kuksianëve në Gjykatën e Apelit në Shkodër. Ai ka thënë se lirimi i tyre është arritje e rezistencës qytetare. Ndërsa ka bërë apel për lirimin edhe të katër kusianëve që do të vijojnë të qëndrojnë në qeli. Drejtësia sipas tij është gjysmake me kuksianët ende në qeli dhe Saimir Tahirin në Parlament.
“Vendimi i sotëm për lirimin nga arresti të 7 prej kuksianëve të grabitur nga shtëpitë e tyre me urdhër të Edi Ramës, është arritje e protestës dhe rezistencës së qytetarëve.
Por kjo drejtësi gjysmake është në fakt padrejtësi, sepse 4 kuksianë mbahen në qeli, ndërkohë që trafikanti ndërkombëtar i drogës Sajmir Tahiri është në parlament.
Ky është thelbi i regjimit të Edi Ramës: burg për popullin që ngrihet kundër grabitjes, liri për kriminelët që mbajnë Edi Ramën me paratë e drogës dhe vota të blera.
Ndaj protesta dhe qëndresa qytetare do të vazhdojë. Nga fati i kësaj beteje varet e ardhmja europiane e Shqipërisë. PD është në krah të njerëzve, është në krah të popullit.” – shkruan Basha.
(E.L./Faxweb)