Sot u zhvillua senaca dëgjimore për gjyqtaren e Gjykatës Kushtetuese Altina Xhoxhaj, e cila rezultoi me një apartament 100 m2 në Gjirin e Lalzit, të pajustifikuar nga të ardhurat e deklaruara.
Kjo seancë dëgjimore u ndoq edhe nga avokatja e Popullit Erinda Ballanca.
Në lidhje me gjyqtaren Xhoxhaj, Ballanca u shpreh se ajo është një ndër më korrektet. Avokatja e Popullit u shpreh se çështjet e hetimit duhet të trajtohen rast pas rasti nga Komisioni në mënyrë që verifikimet të jenë të sakta.
Ballanca u shpreh se ka qenë prezente në çdo seancë dëgjimore në mënyrë që të garantojë qytetarët dhe gjyqtarët për rregullsinë e proceseve.
“Unë personalisht kam qenë një nga përsonat që kam jetuar një periudhë të gjatë të kohës sime duke qenë avokate ditë për ditë dhe personalisht, pavarësisht cështjes së Komisionit të Verifikimit, unë e kam njohur Altina Xhoxhaj si një ndër gjyqtaret me korrekte që ekzistuar ndonjëherë.
Sigurisht çështjet e hetimit janë çështje që kanë për tu trajtuar rast pas rasti nga Komisioni. E rëndësishme është që verifikimet të jenë të drejta të sakta dhe procesi të garantojë qoftë qytetarët që duan të kenë një sistem më të mirë drejtësie ashtu edhe gjyqtarët që kanë të drejta dhe të drejtat e tyre duhen mbrojtur. Unë nuk flas në lidhje me aspektet proceduriale.
Nga pamja e parë sigurisht që u respektuan, u dha një argument u dëgjua pala tjetër. Rëndësi ka që reflektohen ato që janë prova. Avokati i Popullit ka qenë prezent në çdo seancë dëgjimore pasi ka konsideruar monitorimin e procesit si një të drejtë shumë të rëndësishme për të garantuar gjyqtarët dhe qytetarët se procesi është i rregullt.
Unë e thashë përtej faktit personalisht unë nuk isha këtu si shoqe e saj për të ndihmuar, por personalisht e njohur shumë korrekte dhe kam ardhur ta dëgjojë edhe në mbrojtjen e saj. Komisioni nuk vendos çfarë them unë.” – u shpreh avokatja e Popullit, Erinda Ballanca.
(E.L./Faxweb)
Discussion about this post