Mithat Havari ish-drejtues i lartë në Policinë e Shtetit e ka quajtur një lajm shumë të mirë zbulimin e porositësit të vrasësit të komisarit Artan Cuku.
Ai tha në ‘’Fax News” se vrasja për shkak të detyrës që i është bërë Cukut, është një shuplakë ndaj qeverisë dhe të gjithë politikës shqiptare për shkak se shkarkimet nga postet drejtuese bëhen për shkak të interesave partiake.
Ai u shpreh më tej se në rast se Cuku është ndjerë dhe më herët i kërcënuar do të duhet që të kishte kallzuar në Polici, në mënyrë që të merrej në mbrojtje nga shteti.
‘’Artan Cukun e kam njohur në vitin 2013, se kasha takuar më parë, po emrin ja kisha dëgjuar pasi ishte një drejtues shumë i zot në Vlorë. Kam pikasur te ai zyrtarin e zot dhe jo skuth, prandaj që prej fillimit e kam ditur se ai është vrarë për shkak të detyrës. Është shumë e rëndëishme që të thuhet kjo.
Të vritesh pa u zbuluar e vërteta e vrasjes është një hije dyshimi që bie mbi familjarët po dhe mbi vetë shtetin. Kur pashë lajmet dhe pashë që ishte gjetur vrasësi i tij, u gëzova. Kjo pasi fëmijët e tij kur të rriten do të jenë dinjitozë, dhe do thonë se i ati i tyre ishte vrarë për shkak të detyrës.
Artan Cuku ishte një nga komisarët më dinjitozë, në fillim të heqin nga grada e drejtorit dhe më pas të lënë fare të papunë. Në rast se ai do të ishte në detyrë, krimi do ta kishte më të vështirë që të vinte dorë mbi të.
Nuk ka një ligj të posatshëm për të mbrojtur ish-drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit. Cuku në rast se është ndjerë i kërcënuar ka bërë gabim që nuk e ka bërë publike rastin, pasi shteti është i detyruar që ti mbrojë të gjithë shtetasit e tij.
Dalja në dritë e vrasjes reale të Artan Cukut, që ka ndodhur për shkak të detyrës, është një shuplakë për qeverinë aktuale dhe të gjithë politikën në vendin tonë.
Në rast se Artan Cuku nuk do të ishte shkarkuar nga politika dhe do të ishte në krye të komisariatit të Vlorës, shefi i këtij komisariati nuk do të ishte sot në kërkim për drogë. Gjasat janë që kjo situatë e hakmarrjeve politike dhe pushimeve nga puna të ndryshojë, dhe Vetingu që ka filluar në sistemin gjyqësor do të vijojë dhe në rradhët e Policisë”, u shpreh Havari.
(E.K/FAXWEB.AL)