Kancelarja Angela Merkel gjatë konferencës për shtyp që ka patur me kryeministrin Rama ka deklaruar se perspektiva e Ballkanit është në BE dhe ka përgëzuar Shqipërinë pasi ka punuar fort në disa fusha, por ka shtuar se ka disa parakushte për çeljen e negociatave.
“Kemi një marrëdhënie të ngushtë bilaterale. Rekomandimi i KE do diskutohet në qershor. Ka disa parakushte për të nisur negociatat. Shqipëria ka punuar fort në disa fusha. Javët e ardhshme do të japim opinionin përfundimtar”, ka deklaruar kancelarja gjermane në konferencë.
Ajo ka thënë se Gjermania do të diskutojë edhe me partnerët e saj për vendimin, duke theksuar se dëshiron të shohë progres deri në qershor.
Merkel thotë se Gjermania do të ketë opinionin e saj për Shqipërinë në javët e ardhshme, ndërsa është shprehur se në takim është diskutuar edhe për luftën kundër korrupsionit dhe krimit.
Ajo ka folur edhe për vettingun në polici dhe inkurajon Ramën për vazhdimin e reformave.
Kancelarja ka theksuar se takimi ishte me rëndësi për të duke garantuar mbështetjen e Gjermanisë për Shqipërinë.
“Takimi i sotëm është shumë i rëndësishëm për mua. Do vazhdojmë të mbështesim reformat në Shqipëri.
Shqipëria ka bërë përparim në zbatimin e reformave. Vettingu forcon sistemin ligjor dhe do të zgjerohet edhe në polici. Inkurajoj Kryeministrin të vazhdojë në këtë rrugë. Folëm për luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit”, tha ndër të tjera Merkel.
Nga ana tjetër kryeministri Rama ka deklaruar se është krenar për punën e bërë nga Shqipëria duke vënë theksin tek reforma në drejtësi për të cilën Rama tha se Gjermania ka kontribut thelbësor, ndërsa ka theksuar se ka shumë sfida që e presin Shqipërinë.
Gjithashtu kryeministri ka thënë se dëshiron mbështetjen e Gjermanisë edhe në qershot për çeljen e negociatave, duke falenderuar Gjermaninë për ndihmën e deritanishme.
(B.H/Faxweb)