Familja e studentit amerikan, tashmë të ndarë nga jeta, Otto Warmbier, kanë paditur Korenë e Veriut për tortura brutale dhe vrasje.
Fred dhe Cindy Warmbier, paraqitën padinë në një gjykatë federale në kryeqytetin amerikan, Uashington. Në padi, ata përshkruanin në detaje se si i biri, në 17 muaj të burgosjes së tij nga regjimi i sundimtarit koreanoverior, Kim Jong un, kishte vuajtur.
Në fund të vitit 2015, 21-vjeçari Otto Warmbier, u arrestua pas një udhëtimi në grup, në Korenë e Veriut dhe u dënua me 15 vite punë në kampe për veprime armiqësore kundër shtetit.
Ai kishte pranuar se kishte tentuar të merrte nga një hotel, një poster propagandistik. Ndërsa ishte në burg, Warmbier ra në koma dhe vdiq disa ditë pasi u kthye në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në qershor 2017.
Padia e prindërve, vjen në një kohë kur duket se marrëdhëniet po çtensionohen, me presidentin amerikan Donald Trump që pritet të takojë Kim Jong un në maj ose në fillim të qershorit.