Më shumë se 90% e popullsisë botërore thith ajër të ndotur, paralajmëroi sot Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e cila vlerësoi se ndotja është përgjegjëse për shtatë milionë të vdekur çdo vit.
‘’Në gjashtë vitet e fundit, nivelet e ndotjes së ajrit të ambjentit mbeten të larta dhe me një tendencë në rënie në disa rajone të Europës dhe Amerikës’’, bën të ditur OBSH-ja në një deklaratë.
”Nëntë në 10 persona thithin ajër që përmban nivele të larta të grimcave ndotëse”, vë theksin agjencia e OKB-së, një shifër e pandryshuar që nga publikimi i raportit të fundit të OBSH-së në lidhje me këtë çështje dy vite më parë.
”Ndotja e ajrit na kërcënon të gjithëve, por më tepër ky fenomen rëndon mbi personat më të varfër dhe më të papërkrahur të shoqërisë”, u shpreh drejtori i përgjithshëm o OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, cituar në një deklaratë.
”Nuk mund të pranojmë që më shumë se tre miliardë persona, kryesisht gra dhe fëmijë, vijojnë të thithin çdo ditë gazra vdekjeprurës të lëshuar nga pajisjet e ngrohjes dhe lëndët djegëse me efekt ndotës brenda hapësirës së shtëpive të tyre”, shtoi ai.
Përfundimet e OBSH-së bazohen në cilësinë e ajrit të monitoruar në më shumë se 4 300 qytete në 108 shtete (ose 1 000 qytete më shumë se gjatë raportit të fundit).
Sipas këtyre të dhënave, rreth shtatë milionë persona vdesin çdo vit nga ekspozimi ndaj grimcave më të vogla që depërtojnë thellë në mushkëri dhe në sistemin kardiovaskular, që mund të shkaktojë hemoragji cerebrale, probleme kardiake dhe kancer të mushkërisë.
Aktiviteti njerëzor nuk është burimi i vetëm i ndotjes së ajrit. Stuhitë e rërës, kryesisht në rajonet që shtrihen në afërsi të shkretëtirave kanë gjithashtu një ndikim në cilësinë e ajrit.
Sipas raportit, më shumë se 90% e rasteve të vdekjeve që lidhen me ndotjen regjistrohen në shtete më të ardhura të pakta ose mesatare, veçarërisht në Azi dhe në Afrikë.
Të dhënat tregojnë se shumica e kryeqyteteve evropiane po dështojnë në arritjen e këtyre nivele të rekomanduara. Talin në Estoni, Stokholmi në Suedi dhe Dublini në Irlandë kanë regjistruar disa nga rezultatet më të mira, ndërsa Ankaraja në Turqi, Shkupi në Maqedoni dhe Tbilisti në Gjeorgji, janë qytetet që gjenden më larg objektivave. Kryeqyteti shqiptar, Tirana, sipas të dhënave të OBSH, është një qytet i ndotur, por pozicionohet në mesin e renditjes në një nivel me qytete si Zagrebi, Budapesti, Vilniusi, Varshava, Bukureshti, Moska etj.
Statistikat tregojnë gjithashtu se zonat me nivelet më të larta të ndotjes së ajrit të ambjentit janë në Lindjen e Mesme, në Afrikën e Veriut dhe në Azinë Juglindore, me nivele mesatare vjetore të ndotjes që shpesh tejkalon pesë herë kufijtë e përcaktuar nga OBSH-ja. Më pas renditen qytetet me të ardhura më të pakta apo mesatare të Afrikës dhe të Paqësorit Perëndimor që janë më të prekura./ATSH