Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një konferencë për mediat pas takimit që zhvilloi me aleatët, ka komentuar situatën politike pas publikimit të audio-përgjimit për vëllain e ministrit Fatmir Xhafaj.
Basha tha se ministri Xhafaj ka përgjegjësi ligjore dhe morale.
Kryedemokrati theksoi se ministri duhet të hetohet ndërsa Agron Xhafaj duhet të arrestohet më patjetër.
Reagimi i plotë:
Fatmir Xhafaj si Ministër i Brendshëm pengon zbatimin e Ligjit Antimafia
Fatmir Xhafaj, Ministër i Brendshëm, ka penguar dhe pengon zbatimin e Ligjit Antimafia ndaj vëllait të tij dhe atij vetë.
Fatmir Xhafaj është rasti I vetëm në botë ku Ministri i Brendshëm përgjegjës për zbatimin e Ligjit Antimafia, është vetë subjekt i Ligjit Antimafia.
ÇFARE DUHET TË BËNTE PROKURORIA:
Në këtë situatë duhej që ndaj vetë Fatmir Xhafës të kishte nisur një hetim i gjithanshëm nga Prokuroria.
1. Fatmir Xhafaj duhet t’i nënshtrohet së pari hetimit të ligjit antimafia për pasuritë si familjar i personave me aktivitet mafioz.
2. Së dyti, duhet të hetohen të gjitha veprimet dhe mos veprimet e Fatmir Xhafajt, si Ministër i Brendshëm, si rezultat i të cilave, vëllai i tij Agron Xhafaj i dënuar për trafik ndërkombëtar droge nga drejtësia Italiane me 7 vjet e 2 muaj nuk ka bërë asnjë ditë të vetme burg, as në Itali dhe as në Shqipëri.
3. Së treti, duhet të hetohen të gjitha veprimet dhe mos veprimet e Fatmir Xhafajt, si Ministër i Brendshëm, si rezultat i të cilave Agron Xhafaj i ka shpëtuar vuajtjes së dënimit.
4. Së katërti, duhet të hetohen të gjitha veprimet dhe mos veprimet e Fatmir Xhafajt, si Ministër i Brendshëm, që mundësojnë vazhdimin e aktivitetit kriminal të Agron Xhafaj.
Ministria e Brendshme, as Policia, as Prokuroria e kapur nga dyshja Rama-Xhafa nuk vepron dhe nuk do të veprojë sa kohë Fatmir Xhafaj është ministër i Brendshëm, eprori politik i Policisë që kryen verifikimet dhe hetimet dhe padroni politik i Arta Markut dhe Donika Prelës.
(F.G/Faxweb.al)