Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka zhvilluar një takim me ambasadoren gjermane,Susanne Schütz në ambientet e Task-Forcës së ngritur posaçërisht për të luftuar krimin.
Përveç rezultateve të takimit të sotëm, Xhafaj është pyetur nga gazetarët për dëshminë e paraqitur dje nga Partia Demokratike.
Xhafaj tha se PD është ndryshe “vendi i sajesave dixhitale”, duke hedhur poshtë vërtetësinë e materialit të publikuar dje.
“Për sa i përket çështjes së parë më duhet të them shqiptarët nuk janë, nga pikëpamja e statistikave që ne disponojmë nga kolegët tanë, ndër vendet që zënë, që kanë një peshë të rëndësishme në krimin e zhvilluar në territorin gjerman nga të huajt. Dhe sa për dijeninë tuaj, përjashto ato vepra penale që lidhen me kalimin e paligjshëm apo emigracionin e paligjshëm, për pjesën tjetër ndër të huajt, shqiptarët renditen në vendin e 15-të në Gjermani.
Por kjo nuk do të thotë që nuk ka probleme, përkundrazi, ka jo pak probleme që lidhen në fushën e trafikut të drogës, në fushën e trafikut të qenieve njerëzore, në fushën e vjedhjeve të banesave apo mjeteve motorike, të cilat siç thashë janë çështje që ne i trajtojmë bashkërisht me kolegët tanë gjermanë, në kuadrin e operacionit ‘Forca e Ligjit’ përmes Task Forcës dhe në kuadrin e njësisë “Anti-Skifter” të ngritur për hetime të përbashkëta me palën gjermane, përfshi edhe çështjet, të cilat ju sapo i përmendët.
Përsa i përket asaj që më pyetët për dëshminë e paraqitur dje nga PD, dua t’ju them një gjë që këtu jemi në vendin e Task Forcës Speciale, kurse atje jemi në vendin e ‘sajesave dixhitale’.
Për të tjerat, detyra ime është të punoj për Prokurori speciale, për Polici speciale. Detyra e tyre është të punojnë për ‘qytetarin dixhital të sajuar’.
Kjo s’është çështja ime, është çështje e tyre. Unë kam zgjedhur këtë rrugë, ata kanë zgjedhur atë rrugë. Për mua është shumë e rëndësishme të bëj detyrën.” –tha Xhafaj.
(F.G/Faxweb.al)