Britania e Madhe është në qendër të vëmendjes së mediave për evenimentet e rëndësishme të saj.
Kryefjala është padyshim dasma mbretërore mes Princit Harry dhe Meghan Markle, por futbolli nuk është më pak spektakolar. Kjo e shtunë ka rezervuar aktin e fundit të sezonit futbollistik në vendin ishullor, me finalen e Kupës së Anglisë mes Chelsea dhe Manchester United.
Në orën 18:15, në “Wembley” do të përballen dy skuadra që do të kërkojnë të mbyllin sezonin me një trofe. Chelsea, që humbi në finalen e këtij kompeticioni të vitit të kaluar ndaj Arsenalit, do të kërkojë që këtë radhë të triumfojë për ta çuar në 8 numrin e trofeve të FA Cup. Në krahun tjetër, Manchester United do të kërkojë të fitojë këtë kompeticion për të 13-n herë për të vendosur një rekord të ri të tij.
Finalja e sotme do të jetë edhe përballja e trajnerëve Antonio Conte e Jose Mourinhos. Për italianin, edhe nëse Chelsea do të ngrejë trofeun, kjo e “Wembley”-t do të jetë sfida e fundit në stolin e “Bluve” të Londrës. Në të njëjtën kohë ajo do të jetë edhe ndeshja e 106 e Chelsea me Conten në pankinë.
Në 105 sfidat e mëparshme, “Blutë” me italianin në stol kanë regjistruar një bilanc me 68 fitore, 17 barazime e 20 humbje. Në krahun tjetër, Mourionho njihet si eksperti i finaleve, pasi në 14 të tilla të luajtura me skuadrat e tij, ai ka mundur të fitojë 12. Ajo që është e veçantë për luzitanin është se dy finalet e vetme të humbura për Mourinhon kanë ardhur vetëm pas kohës shtesë.
(E.V/Faxweb.al)