Prej dy ditësh ministri i brendshëm Fatmir Xhafaj ka nisur një vizitë në Hollandë, pavarësisht se Shqipëria zien nga akuzat në drejtim të tij, pas audiopërgjimit ku pretendohet se vëllai i tij është i përfshirë në trafik droge.
Prej andej Xhafaj ka lëshuar mesazhe lidhur me Reformën në Drejtësi, teksa është shprehur se sistemi duhet të pastrohet nga njerëzit e korruptuar, duke iu referuar gjykatësve dhe prokurorëve.
Sipas Xhafaj, ajo çka pritet nga kjo reformë është pastrimi i radhëve të sistemit nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, të paaftë dhe të lidhur apo ndikuar në vendimarrjen e tyre nga bota e krimit, krijimi i institucioneve të reja që sigurojnë më shumë pavarësi të sistemit, krijimi i mekanizmave që garantojnë balancë dhe kontroll efektiv të sistemit në luftë me koorporatizmin dhe korrupsionin.
Të shtunën opozita do të protestojë përpara kryeministrisë, ku mes të tjerave do të këkohet dhe shkarkimi i ministrit Xhafaj.
Për Edi Ramën që është dhe vendimmarrësi, deri më tani, nga ajo që është parë, Xhafaj nuk ka asnjë përgjegjësi as ligjore dhe as morale në lidhje me aktivitetin e të vëllait të tij vite më parë.
(E.K/FAXWEB.AL)